Lajme

Guri: Betejat me Abdixhikun, një nga arsyet pse gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër Sejdiut

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se betejat e brendshme politike me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, është një nga arsyet që gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të vendit.

Guri në emisionin “Intervista e javës”, në kp, ka thënë se qëndrimi i gjashtë deputetëve është i paqartë, sidomos duke pasur parasysh diskutimet paraprake të zhvilluara në grupin parlamentar, ku, sipas tij, kishte pajtim për gjetjen e një emri konsensual për president.

Guri ka bërë thirrje që në interes të Kosovës, të tejkalohen hatërmbetjet dhe përplasjet politike.

“Betejat me Abdixhikun”, Guri tregon pse gjashtëshja e LDK-së s’ka votë për Sejdiun

“Unë konsideroj që mund të jetë edhe arsyeja edhe zotëri Abdixhiku, betejat me zotëri Abdixhiku, ato që nuk po arrijnë me i gjetë një mbështetje për zotëri Sejdiu. Mirëpo, kjo është veç një hamendësim i imi, për arsye se këtë e dinë më së miri deputetët që kanë dalë kundër kësaj marrëveshjeje, mirëpo prapë po e them që është shumë e paqartë, duke pasur parasysh diskutimet që janë mbajtur në mbledhjen e parafundit. Ku ne të gjithë kemi qenë dakord që të gjendet një emër për një president konsensual edhe vendit t’i ofrojmë institucione, pastaj nuk mendoj që duhet ne si politikanë, si deputetë, si anëtarë të kryesisë, që unë mendoj që duhet t’i tejkalojmë hatërmbetjet, duhet t’i tejkalojmë inatet, nëse mund t’i quajmë inate, kur është në pyetje interesi i Kosovës. Pasi që ne tash e dimë që Kosova nuk ka institucione tash e një kohë të gjatë”, tha ai.

Duke folur për marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, Guri ka thënë se në LDK nuk e kishin menduar se do të arrinin një marrëveshje kaq të mirë.

Guri: Nuk kemi paramenduar se mundemi me arritë një marrëveshje kaq të mirë me LVV-në

“Ne nuk e kemi paramenduar që mundemi me arrit një marrëveshje kaq të mirë. Me një emër i cili, dorën në zemër, jam më i riu aty në moshë, edhe nuk është që kam pasur shumë njohuri rreth veprimtarisë së Bekim Sejdiut. Mirëpo, kur kam marrë pjesë në mbledhje të kryesisë, secili anëtar i kryesisë së LDK-së, kur i kam dëgjuar, domethënë, Anton Qunin duke treguar eksperienca personale me Bekim Sejdiun, me djalin e axhës së Bekim Sejdiut, i cili ka qenë ushtar nën komandat e Xhafer Gashit në betejat e Koshares, kur e kam dëgjuar kontributin që babai i Bekim Sejdiut ka qenë kryetari i nëndegës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, ka qenë tre herë radhazi shef i shtabit zgjedhor të degës në Klinë babai i Bekim Sejdiut, kur kam dëgjuar që Bekim Sejdiu pastaj ka qenë i propozuar i Fatmir Sejdiut në atë kohë kur ka qenë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës si ambasador në Ankara, kur kam dëgjuar që, domethënë, ai ishte në një farë mënyre pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shtoi ai.

I pyetur nëse LDK-ja mund të gjejë zgjidhje tjetër me LVV-në për një kandidat tjetër për president, Guri ka thënë se kjo parti e ka kryer punën e saj dhe se me numrin aktual të deputetëve, nuk ka hapësirë për të përcaktuar kandidatë të tjerë.

Guri ka shtuar se shpreson që zgjedhjet të shmangen, ndonëse nuk është optimist se kjo mund të arrihet me numrat aktualë në Kuvend.

Guri tregon a do ta ketë kandidat tjetër për president?

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kryer punën e saj. Tash nuk i takon më, se për arsye se ne po harrojmë një fakt që ne i kemi 18 deputetë. Nëse ne do t’i kishim më shumë deputetë, edhe do të ishim një ‘playmaker’, domethënë do të përcaktonim edhe kandidatë të tjerë edhe do të bënim ndonjë president nga Lidhja Demokratike e Kosovës… Unë shpresoj shumë, në mënyrën më të sinqertë të mundshme, unë shpresoj shumë që zgjedhjet shmangen. Me këto numra, nuk e di qysh kanë mundësi me u shmangë zgjedhjet, mirëpo unë shpresoj shumë”, theksoi Guri.

Guri ka folur edhe për “përplasjet” publike me kolegen e tij partiake, Janina Ymeri, ku deklaroi se nuk do të qëndronte asnjë sekondë në një parti nëse do të mendonte se kryetari i saj është pjesë e ndonjë mafie energjetike, siç ka aluduar Ymeri.

“As një sekondë nuk qëndroj në parti”, Guri flet për përplasjen me Janina Ymerin

“Unë as edhe një sekondë të vetëm nuk qëndroj në një parti politike kur mendoj që kryetari i asaj partie politike, që më përfaqëson mua, është pjesë e çfarëdo lloj mafie. Qoftë ajo energjetike, qoftë ajo çfarëdo lloj mafie tjetër, as edhe një sekondë nuk qëndroj, nëse vetëm më shkon mendja, jo nëse kam fakte, po veç nëse më shkon mendja që kryetari që më përfaqëson mua, kryetari i partisë sime, është pjesë e çfarëdo lloj mafie, as edhe një sekondë, jo minutë, orë, ditë, as edhe një sekondë… Nuk ka as, nuk ka asnjë lloj çarje, asnjë lloj akuze unë nuk ia kam bërë zonjës Ymeri. Asnjë lloj akuze. Unë edhe dje e thashë: qëndrimet e ndryshme politike janë absolutisht normale në një shoqëri demokratike. Vota kundër është absolutisht normale në një shoqëri demokratike. Sidomos kur je pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Sa i përket mundësisë që të tentohet sërish shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga drejtimi i LDK-së, Guri ka thënë se tashmë asgjë nuk e befason, duke marrë parasysh se për pesë muaj janë mbajtur dy kuvende të partisë.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të thirret edhe një kuvend tjetër.

A do të tentohet sërish shkarkimi i Abdixhikut?

“Për besë, nuk është çudi që të thirret edhe një kuvend tjetër, kur për pesë muaj i kemi pasur dy kuvende. Tash, për gjashtë muaj, nëse mbahet edhe një, nuk është çudi. Tash edhe i katërti, nëse mbahet për shtatë muaj, mos u çuditni. Çudia ka qenë kur dy kuvende u mbajtën brenda pesë muajve. Tashmë asgjë nuk më çudit, nuk më befason. Sa i përket ambicieve të zotit Rama për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2027 e ka procesin e saj zgjedhor të rregullt edhe secili anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka të drejtë të garojë për kryetarin, për të parin e LDK-së”, deklaroi ai.

Guri tregoi edhe për rolin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në zhvillimet brenda LDK-së.

Cili është roli i Përparim Ramës në përplasjet brenda LDK-së?

“Qindra aktivistë kanë punuar ditë e natë që të zgjidhet Përparim Rama edhe në 2021-shin edhe në 2025-ën. Problemin ku e kam unë, edhe mendoj që e kanë edhe pjesa tjetër e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është kur janë ndarë postet e drejtorëve, ku Lidhja Demokratike e Kosovës i ka pasur, i ka marrë tre drejtori, të barabartë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e Partia Demokratike e Kosovës i ka pasur tetë drejtori. Kështu që kjo mendoj që nuk i ka përfaqësuar, nuk na përfaqëson dinjitetshëm rolin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kontributin që e ka dhënë LDK-ja në dy palë zgjedhje të fundit”, përfundoi deputeti Guri.

Të Ngjashme