Kostana Morava, e njohur prej vitesh për opinionet e saj të drejtpërdrejta, është rikthyer te eksperienca në “Ferma VIP 3”, duke folur për një prej raporteve më të komentuara gjatë qëndrimit të saj në reality show, atë me moderatoren Arbana Osmani.
Në një intervistë për Revistën Bordo, gazetarja është pyetur për netët “Prime”, ku jo rrallë diskutimet mes saj dhe moderatores shoqëroheshin me ndërprerje dhe debate.
Morava pranoi se gjatë qëndrimit brenda fermës e kishte të vështirë të kuptonte nëse situatat ishin pjesë e dinamikës së programit apo nëse kishte një qasje të ndryshme ndaj saj.
“Kur je brenda në një lojë, sinqerisht jo për justifikim, është e vështirë të bësh analizën e saktë të ‘e ka me mua apo s’e ka me mua, e ka personale apo s’e ka personale?’”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Kostana tregoi se pas përfundimit të eksperiencës ka rishikuar episodet dhe tashmë ka krijuar një perceptim tjetër. Sipas saj, gjatë prime-ve është trajtuar ndryshe nga Arbana, veçanërisht për sa i përket kohës që i jepej për të argumentuar.
“E kam ndjerë vërtet këtë, le të themi trajtimin ndryshe që më është bërë përgjatë prime-ve nga Arbana, në mënyrë që të mos përfundoja asnjëherë fjalitë”, deklaroi Morava, duke kujtuar edhe fraza si: “Jo, po ta kemi dhënë kohën” apo “Po tani mos fol më”.
Gazetarja argumentoi se për të kjo ishte më e vështirë edhe për shkak të eksperiencës së saj në televizion. Ajo tha se ndërhyrjet e saj nuk synonin thjesht një koment të shkurtër, por një analizë më të plotë të situatave dhe personazheve.
“Unë kam nevojë për kohën time për të bërë një analizë, përderisa jemi në Prime dhe këtu të gjithë bëjnë analiza”, tha ajo.
Sipas Moravës, synimi i saj ishte të ndalej te detajet e lojës dhe të analizonte më gjerësisht karakterin e konkurrentëve. Pikërisht këtu ajo ngriti edhe pyetjen më të drejtpërdrejtë ndaj moderatores.
“Pse nuk i interesonte Arbanës që unë të shfaqesha në atë pozicion natyral timin, por dhe profesional timin?”, u shpreh Kostana.
Ajo pretendoi se ndërprerjet ndodhnin shpesh pikërisht kur po arrinte në pjesën kryesore të argumentit të saj.
“Gjithmonë argumenti im pritej si papritur, fiks tek ajo pika ku ishte pjesa më e rëndësishme dhe anashkalohej si një gjë shumë kot dhe pa vlerë”, përfundoi Morava.
Deklaratat e saj sjellin tashmë këndvështrimin që Kostana ka krijuar pas daljes nga formati, ndërsa Arbana Osmani nuk ka dhënë një reagim publik ndaj këtyre komenteve.
