Lajme

Halilaj: Qeveritë e kanë harruar ekonominë – Aleanca e ka prioritet, më e rëndësishmja energjia

Kandidati për deputet nga Aleanca, Durim Halilaj, ka kritikuar qasjen e institucioneve të qeverive të kaluara ndaj zhvillimit ekonomik, duke thënë se gjatë viteve të fundit vëmendja është përqendruar në tema të tjera, ndërsa ekonomia dhe investimet strategjike janë lënë anash.

Sipas tij, programi i AAK-së fokusohet në prodhim, energji dhe tërheqjen e investimeve kapitale të huaja në Kosovë.

“Aleanca e ka programin në prodhim, në energji, por njëkohësisht edhe në investimet kapitale të huaja që duhet ardhur në Kosovë, këtë s’po e diskuton askush në Kosovë. Ne s’kemi investime kapitale strategjike që kanë ardhë me investua në Kosovë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse për gjashtë vite është diskutuar vetëm për luftë, keqësim, Serbia etj., është harruar ekonomia. Nuk mundet me ardhë një kompani e madhe me investua në Kosovë, kur e ki gjendjen e pasigurisë edhe me energji. Sot ka pas ndërprerje të energjisë në baza ditore”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai ka theksuar se sektori i energjisë duhet të jetë prioritet kryesor, duke kujtuar se Aleanca ka prezantuar projekte në këtë fushë edhe në të kaluarën.

“Sa i përket rrymës, Aleanca është e vetmja që duhet t’u dalë përballë qytetarëve, për shkak se ka pasur projekte për energjinë që nga viti 2005 dhe 2018. Energjia është tema kryesore dhe prodhimi duhet të zhvillohet në Kosovë”, është shprehur ai.

Halolaj vlerësoi se përmirësimi i sigurisë energjetike do të krijonte kushte më të favorshme për investitorët e huaj dhe për zhvillimin ekonomik të vendit. /teve1.info/

Të Ngjashme