Lajme

Hamza kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka theksuar nevojën urgjente për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke nënvizuar se shumë prej tyre ende presin që autorët të përballen me ligjin.

Gjatë një fjalimi në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me rastin e Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, Hamza ka thënë se kjo ditë shërben si kujtesë, dëshmi dhe thirrje për drejtësi.

Ai ka theksuar se mijëra gra dhe burra të mbijetuar vazhdojnë të jetojnë me pasojat e krimeve të kryera gjatë luftës, ndërsa vetëm një numër i vogël i autorëve janë ndjekur penalisht.

“Gjatë etapave të ndryshme të historisë është thënë se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por vetëm kur drejtësia arrin tek ata që mbetën me plagët e saj. Sot, përveç që kujtojmë, jemi mbledhur edhe për të kërkuar drejtësi,” është shprehur Hamza.

Sipas tij, dhuna seksuale e ushtruar ndaj civilëve gjatë luftës ishte një nga krimet më të rënda dhe një strategji terrori e përdorur nga regjimi serb.

“Jemi këtu për të nderuar të mbijetuarit, gra dhe burra që përjetuan një nga krimet më të rënda dhe që, përkundër sfidave, gjetën forcën për të denoncuar krimet ndaj tyre,” ka theksuar ai.

Hamza ka përfunduar se drejtësia për këto viktima mbetet një detyrim moral dhe institucional, duke shtuar se pa ndëshkimin e autorëve, plagët e luftës nuk mund të shërohen plotësisht.

Të Ngjashme