Lajme

Lutje dhe nderime për 10 ushtarët britanikë të rënë në Kosovë

Në një rresht qëndruan dhjetëra ushtarë britanikë të KFOR-it.

Këta të fundit, kjo e diel i gjeti në sheshin “Edit Durham”, në Prishtinë.

Krejt kjo me rastin e përkujtimit të dhjetë bashkëkombësve të tyre që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë.

Ceremonia u organizua nga Ambasada Britanike në Prishtinë, e cila nisi me një lutje, përmes së cilës u kërkua ndihma dhe mbështetja e Zotit për të gjithë ata që kanë nevojë.
“Unë i ngre sytë drejt maleve – prej nga do të më vijë ndihma? Ndihma ime vjen nga Zoti, i cili krijoi qiellin dhe tokën”, u shpreh ai.

Kujtimi i ushtarëve të rënë u shoqërua edhe me vargje nga poezia “Në tokat e Flandrës”, kushtuar atyre që humbën jetën në luftë.

“Ne jemi të Vdekurit. Vetëm pak ditë më parë, jetonim, ndienim agimin, shihnim shkëlqimin e perëndimit, dashuronim dhe ishim të dashur, e tani prehemi në fushat e Flandrës”, tha , Lt Col Graham Longhurst – Canadian SNR.

Në vazhdim u lexuan emrat e dhjetë ushtarëve britanikë që humbën jetën në Kosovë.

Se sakrifica e tyre nuk do të harrohet, e tha edhe ambasadori britanik në Prishtinë.

“Në perëndimin e diellit dhe në mëngjes, ne do t’i kujtojmë ata”, u shpreh Jonathan Hargreaves, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Në këtë ceremoni pati edhe lutje për paqe, mirëkuptim dhe drejtësi.

“Mençuria që vjen nga lart është para së gjithash e pastër, pastaj paqedashëse, e butë, e gatshme të lëshojë pe, plot mëshirë dhe fryte të mira, pa asnjë gjurmë anshmërie apo hipokrizie”, tha Mary ann Hennessey, udhëheqëse e zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë.

Kontributin e ushtarëve britanikë në Kosovë e kujtoi edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë ndër ushtritë më të rëndësishme të asaj ndërhyrje, si për sulmet ajrore, po ashtu edhe për ndërhyrjen tokësore ose ardhjen e praninë qenë këtu, kanë mbajtur situatën e sigurt në ditët e para të luftës, pra ende pa u tërhequr edhe krejt forcat serbe, kudo në gjithë Kosovën, duke përfshirë këtu në kryeqytet, roli i tyre ka qenë shumë i rëndësishëm, vazhdojnë me shërby dhe me e siguru Kosovën edhe tash në gjithë vendin, por veçanërisht në veri. Pra është në nderin tonë, si popull i Kosovës, me nderuar ata ushtarë.

Pas fjalimeve dhe lutjeve, të pranishmit vendosën lule pranë lapidarit kushtuar ushtarëve britanikë të rënë në Kosovë.

I pari që vendosi lule ishte ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves.

Më pas, nderime bënë edhe presidentja Justina Shiroka Pula, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Ceremonia përfundoi me nderime dhe lutje të tjera në kujtim të dhjetë ushtarëve britanikë që humbën jetën në Kosovë.

Të Ngjashme