Lajme

Hamza nga Gjilani premton rritja të pagave 50%

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e radhës elektoral në Gjilan.

E, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, kritikoi qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se ka prodhuar drama e sulme edhe ndaj partnerëve strategjikë të vendit.

“Gjashtë vite qeverisje kanë prodhuar drama, polarizime, sulme. Sulme ndaj mediave, bizneseve e kanë shkuar edhe më tej, sulme ndaj partnerëve strategjikë. E adresë e këtyre sulmeve është Kurti dhe VV-ja. Mbi 250 mijë qytetarë kanë kërkuar lejeqëndrim brenda BE-së. Për çdo ditë kemi rritje të çmimeve. Sot, çmimet e shportës bazë janë rritë 30-40%. Pagat kanë ngelur njëjtë. Shëndetësia nuk është privilegj, e sot njerëzit tanë përballen me pasiguri se në rast të një sëmundjeje si do t’ia dalin. Ne, në qendër të programit tonë e kemi ekonominë. Pa ekonomi të fortë s’ka shtet të zhvilluar. Kemi program të mirë për bizneset. Pagesa e TVSH-së në brendi, bizneset e vogla deri në 10 mijë euro, ata do të jenë të lirë nga tatimet”, tha ai.

Më tej, Hamza tha se PDK-ja s’e shoh diasporën si votë, por si potencial. Ai tutje para gjilanasve premtoi bursa prej 30 milionë euro për studentë, subvencionim për çerdhet për çiftet e reja, investime në kapacitete energjetike e rritje të pagave e pensioneve prej 50% dhe autostradën Prishtinë-Dheu i Bardhë.

“Ne nuk e shikojmë diasporën si votë, ata mund të votojnë si të duan, ata janë kontribues para e gjatë luftes, ne i shohim si potencial dhe i thërrasim të vijnë e të investojnë në Kosovë. Për shëndetësinë, barna të mjaftueshme e listë të zgjeruar të barnave esenciale, sigurime shëndetësore që qytetarët e Kosovës t’i marrin shërbimet në institucione publike e private. Bursa 30 milionë euro në vitin e parë për studentë. Për çifte të reja, do ta subvencionojmë mes çerdheve të sektorit publik dhe atij privat. Do t’i rrisim pagat 50% për të gjithë, mësues, shërbyes civilë, policë ushtarë. Për kategoritë e dala nga lufta, rritje e pensioneve prej 50%. Kapacitete të reja energjetike edhe mbi bazën e thëngjillit. Përfundimin e rrugëve ekzistuese, jo vetëm Prishtinë-Gjilan, por Prishtinë-Dheu i Bardhë. Përmirësim i shëndetësisë dhe arsimit. Nuk do të ketë projekte në Gjilan që s’do ta kenë përkrahjen e qeverisë që do ta udhëheq PDK-ja”, tha ai.

Kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, tha se Kosova ka nevojë për një njëri si Bedri Hamza, i cili sipas tij, është personalitet i dëshmuar në të gjitha pozitat që ka qenë.

“Të gjithë ne duhet të punojmë fort që t’i prijmë fitores së PDK-së dhe ditës vendimtare. Qytetarët e Gjilanit kanë ditur që të reflektojnë në momente vendimtare për vendin dhe besoj që edhe më 7 qershor do t’i thonë stop krizës, gjuhës së urrejtjes e fyerjeve ndërsa do t’i thonë po Bedri Hamzës për kryeministër. Kosova sot ka nevojë për një njëri që e njeh shtetin dhe ekonominë. Hamza ka dëshmuar integritet në çdo detyrë që e ka bërë deri më sot. Askush nuk e ka ndier më shumë dështimin e qeverisë së Kurtit sesa Gjilani. Pushteti qendror dhe lokal kanë qenë në duar të të njëjtës parti, por s’kanë parë rezultate. Kjo në Gjilan që ka ndodhur, e kemi pasur fatin e keq. Për këto 5-6 vite, gjilanasit s’e kanë parë asnjë projekt që është realizuar. Nëse flasim për autostradën e Gjilanit, janë bërë disa vite që janë ndalur punimet. Sot gjendja është aty ku e ka lënë PDK-ja. Nëse flasim për stadiumin e qytetit, projekti vazhdon të mbetet i degraduar dhe s’ka ditë kur mund të pritet përfundimi i tij. Nëse flasim për impiantin e ujërave të zeza në vlerë 26 milionë euro, ai projekt i bën 8 vite që s’ka nisur dhe s’ka përfunduar. Kjo tregon që këta s’kanë interesim të kryejnë punë dhe këta duhet sa më parë të shkojnë në shtëpi”, tha ai.

Zgjedhjet parlamentare mbahen më 7 qershor.

Të Ngjashme