Lajme

Hamza: UÇK është përtej çdo subjekti politik

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka ftuar në takim mbledhje Grupit Parlamentar të kësaj partie për t’i njoftuar mbi takimin e djeshëm mes tij dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Para gazetarëve, Hamza tha se qëndrimi i PDK-së nuk është vetëm për ta sepse sipas tij, UÇK është përtej çdo subjekti politik.

Sipas tij, Kosova është më e madhe se gjithçka.

Hamza: Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është send tjetër

“Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është kjo nuk është për PDK-në. Sepse UÇK është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Ne po thoshim: me u aprovu ligji në të dyja leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedh presidenti e me i shmang zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është send tjetër”, tha Hamza. 

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu para mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe të Kryesisë tha se PDK asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore.

Musliu u shpreh se po mundohen të bëjnë më të mirë për Kosovën.

Musliu: PDK asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale, nuk i ikën as sot. Jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën. Në rrethanat të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën, prandaj në vazhdën e angazhimit tonë kemi dhe takimin e sotëm”, tha Musliu.

Ajo u shpreh se pas takimit do të tregoj se çka u diskutua në detaje dhe theksoi se çështja që nuk pret është ligji për Dhomat e Specializuara.

Musliu: Ajo çka nuk pret momentalisht është ligji për dhomat e specializuara, të tjerat presin

“Tani hipotetike asnjë përgjigje nuk ju jap unë. Kur të dal prej mbledhjes ju tregoj çfarë kemi folur në mbledhje, por përderisa nuk jemi futur në mbledhje është kjo. Tani edhe njëherë, nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë shtetërore si Partia Demokratike e institucionale, jemi duke u munduar, në rrethanat të cilat jemi, jemi duke u munduar me bë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është ligji për dhomat e specializuara, të tjerat presin”, shtoi ajo.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dje është takuar me kreun e VV-së, Albin Kurti, por që nuk ka rezultuar me një marrëveshje.

Krahas çështjes së presidentit, PDK-ja po insiston që deri më 6 tetor të miratohet në dy leximet në Kuvendin e Kosovës edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen i proceduar nga qeveria të premten.

Ndërkohë, në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.

Të Ngjashme