Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar procesin si të rrezikshëm për institucionet e vendit.
Në një postim publik, Hamza tha se përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje kushtetuese përbëjnë, sipas tij, sulm ndaj shtetit të së drejtës dhe rendit demokratik.
Ai theksoi se PDK kundërshton çdo tentim për shpërfillje të procedurave kushtetuese dhe paralajmëroi se veprime të tilla, sipas tij, rrezikojnë stabilitetin politik të vendit.
Postimi i Hamzës:
Qytetarë të nderuar,
Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.
Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë.
Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri.
Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës.
Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit.
Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!
