Lajme

​Hapet Gjykata Administrative, adresë e re e ankesave të qytetarëve ndaj institucioneve publike

Nga kjo e martë e 5 majit, sistemi gjyqësor në Kosovë është forcuar edhe me funksionalizimin e Gjykatës Administrative, një institucion ky i ri i specializuar që do të trajtojë konfliktet administrative dhe kontestet e punës në sektorin publik.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që mori pjesdë në hapje, deklaroi se fillimi i punës së kësaj gjykate është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht për qytetarët.

Ajo uroi që këta të fundit të dalin fitues nga kjo gjykatë, ndërsa vendimet e saj të jenë mësim për administratën shtetërore.

Haxhiu: Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve

“Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokratike e vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”, shtoi Haxhiu.

Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku theksoi se Gjykata Administrative do të funksionojë si një mekanizëm i pavarur, profesional dhe efikas për shqyrtimin e çështjeve administrative dhe të marrëdhënieve të punës.

Sadiku: Kjo gjykatë do të jetë mekanizëm i pavarur dhe profesional

“Kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj, duke ofruar një mekanizëm të pavarur, profesional dhe efikas të kontrollit gjyqësor në vendimet e organeve administrative. Megjithatë, funksioni efikas i këtij mekanizmi nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim të mirëfilltë institucional. Organet administrative dhe Gjykata Administrative nuk duhet të shihen si palë në kundërshtim, por si pjesë e një sistemi të përbashkët që synon garantimin e ligjshmërisë dhe transparencës”, deklaroi ajo.

E ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla meritat për hapjen e kësaj gjykate ia adresoi edhe ushtrueses aktuale të detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut, meqë gjatë mandatit të saj si ministre e Drejtësisë u finalizua ligji për Gjykatën Administrative.

Ajo tha se tashmë pret rezultate konkrete pasi në kjo gjykatë bartë barrë të madhe të lëndëve.

Gërvalla: Kjo gjykatë po nis me një barrë prej mbi 10 mijë lëndësh që presin

“Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do ta kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike…. Kjo gjykatë nuk po e nis punën nga zero. Ajo po e nis punën me një barrë të madhe, me mbi 10 mijë lëndë të bartura, gjë që paraqet një sfidë shumë serioze. Por është edhe mundësi për të dëshmuar se një gjykatë e specializuar mund të sjellë më shumë rend, më shumë shpejtësi dhe më shumë cilësi në drejtësinë administrative”,dekaroi ajo.

Ndërësa detajet për funksionin dhe përbërjenj e kësaj gjykate, i dha Ushtruesi i detyrës së kryetarit të saj, Rexhep Gashi.

Gashi: Gjykata Administrative do të jetë e organizuar në 4 departamente

“ Do t’i trajtoj të gjitha konfliktet administrative natyrisht përveç atyre që janë në juridiksion të Gjykatës Supreme dhe të gjitha kontestet e punës ndërmjet individëve dhe organeve publike me juridiksion në tërë territorin e Kosovës. Gjykata Administrative do të jetë e organizuar në katër departamente të veçanta: departamenti fiskal, departamenti për kontestet e punës, departamenti për skemat sociale dhe pensionale të financuara nga shteti si dhe departamenti i përgjithshëm. Gjykata sipas organogramit të miratuar nga KGJK do të ketë 23 gjyqtarë së bashku me kryetarin e gjykatës aktualisht me rastin e funksionalizimin e gjykatës nga dita e sotme 15 gjyqtarë janë transferuar dhe kanë filluar punën ndërsa pjesa tjera e gjyqtarëve do ta fillojnë punën nga data 1 korrik 2026”, deklaroi Gashi.

Hapja e kësaj gjykate është mirëpritur edhe nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi i cili tha se ka një rol kyç në garantimin e mbrojtjes juridike të qytetarëve dhe subjekteve juridike përballë vendimeve të administratës.

Në inaugurimin e Gjykatës Administrative ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Misioni i EULEX-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Ligji për Gjykatën Administrative ka hyrë në fuqi më 6 shkurt 2026.

Të Ngjashme