Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit, Ismet Jashari, në 25-vjetorin e rënies.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Ismet Jashari ishte shembull i luftëtarit shqiptar.
“Ismet Jashari nga Kumanova ishte njëri ndër luftëtarët më të shquar të UÇK-së. Ai ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë në mbarë Kosovën. Fakti se për çlirimin e Kosovës luftonin edhe djemtë nga Kumanova e nga Tetova, përforconte moralin e trimave të UÇK-së. Ismet Jashari ishte shembull i luftëtarit shqiptar. Ishte në ballë të shumë betejave që turpëruan armikun, duke arritur me sukses vënien nën kontroll të UÇK-së të shumë zonave strategjike, sikurse Malisheva si një ndër zonat më të mobilizuara të luftës, e që shërbente si lidhje mes Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës. Pas rënies së tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së mori emrin “Ismet Jashari – Kumanova”, duke lartësuar heroizmin e tij nëpër shumë beteja kundër armikut”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka kujtuar edhe të rënë tjerë në përvjetorin e përjetësimit.
“Në 26-vjetorin e rënies, nderojmë heroizmin e bashkëluftëtarëve; Habib Zogaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Zenun Mataj”, është shprehur Haradinaj.