Lajme

Haradinaj përkujton Hajdar Ahmetin në 23-vjetorin e rënies

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar luftëtarin e lirisë, Hajdar Ahmeti, në 23-vjetorin e shkuarjes së tij në përjetësi.

Haradinaj ka thënë se Ahmeti ishte pjesë e një familjeje atdhetare dhe se iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me babanë e tij, Hasanin.

Sipas Haradinajt, kontributin për atdheun Hajdar Ahmeti e vazhdoi edhe në uniformën e Policisë së Kosovës, deri në momentin kur u nda nga jeta.

“Sot, me nderim dhe respekt, kujtuam veprën jetësore në shërbim të atdheut të luftëtarit të lirisë, Hajdar Ahmeti, në 23-vjetorin e shkuarjes së tij në përjetësi”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se bashkë me bashkëluftëtarë dhe banorë mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës së Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Berjah.

Haradinaj ka vlerësuar kontributin e banorëve dhe luftëtarëve të kësaj treve, duke thënë se ajo i doli zot atdheut dhe dha dëshmorë e luftëtarë të shquar.

“Lavdi e përjetshme veprës dhe kujtimit të Hajdar Ahmetit dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Të Ngjashme