Lajme

Haradinaj premton pensione prej 450 eurove, thotë se 100 euro nuk mjaftojnë as për barna

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar pensione prej 450 eurove, pasi sipas tij pensioni prej 100 eurosh nuk mjafton as për barnat bazike.

“Pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme. Ato më e pakta do të jenë në nivelin e pagës minimale, që arrijnë shifrën prej 450 euro. Projeksioni ynë është që të sigurohet një buxhet dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për fillimin e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ai në Facebook.

Këtë deklaratë e ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar të martën me pensionistë dhe veteranë të arsimit në Vushtrri, të cilët ka thënë se janë shprehur të zhgënjyer thellë me gjendjen e tyre ekonomiko-sociale.

“Premtimet e pambajtura të katër viteve të fundit, janë treguesi i mashtrimit dhe i braktisjes së kësaj kategorie nga Qeveria”, ka shtuar Haradinaj.