Lajme

Haxhiu: Historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh U. D. Presidente, Albulena Haxhiu, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore për njërin prej figurave të qëndresës shqiptare ndaj sundimit osman, Rrustë Kabashi, të mbajtur sot në Prizren.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, kryetarja Haxhiu tha se historia e Rrustë Kabashit është e lidhur ngushtë me Prizrenin dhe me kohën kur shqiptarët, pas Lidhjes së Prizrenit, vazhdonin të kërkonin rrugë për t’u organizuar e për t’iu kundërvënë sundimit osman.

Haxhiu tha më tej se përpjekjes për liri ai ia kushtoi më shumë se tridhjetë vjet të jetës së tij, derisa më 18 gusht 1910 u dënua me varje pikërisht këtu, në Prizren.

“Rrustë Kabashi ishte rritur politikisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i përkiste atij brezi që, edhe pas shtypjes së saj, nuk hoqi dorë nga organizimi dhe kundërshtimi. Që në fillim të vitit 1880 ai kishte nisur aktivitetin e tij atdhetar. Në Zojz, në vitin 1882, ai ishte ndër organizatorët e kuvendit ku u kundërshtua hapur administrata osmane. Dy vjet më vonë, Rrustë Kabashi i priu qëndresës në Podrimë dhe në rrethinë të Prizrenit. Kur as ndjekjet dhe burgosjet nuk e ndalën, autoritetet osmane e shtrinë ndëshkimin edhe mbi familjen dhe pasurinë e tij. Kullat e krerëve të Kabashit u dogjën, pasuria iu konfiskua, ndërsa familjarët u dërguan me forcë në Prizren, si mjet presioni për t’i detyruar krerët të dorëzoheshin”, u shpreh kryetarja Haxhiu, duke shtuar se Rrustë Kabashi nuk u tërhoq, përkundrazi, vitet e përndjekjes dhe qëndresës ia forcuan autoritetin ndër njerëzit e krahinës, aq sa pushteti osman herë e ndiqte e herë detyrohej të hynte në bisedime me të.

Sipas saj, vdekja e tij nuk e mbylli kujtimin për të, duke shtuar më tej se emri i Rrustë Kabashit mbeti në këngë, në Prizren e në Kabash, dhe u përcoll ndër breza si emri i një njeriu që për pjesën më të madhe të jetës së tij nuk u tërhoq nga kundërshtimi ndaj pushtetit osman.

“Njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, ne e kujtojmë Rrustë Kabashin nga një Kosovë e lirë dhe e pavarur. Ai nuk e pati mundësinë të jetonte në kohën kur shqiptarët do të vendosnin vetë për vendin e tyre, por përpjekja së cilës ai i kushtoi jetën i përket së njëjtës histori të gjatë që, pas shumë brezash e shumë sakrificash, na solli deri te shteti ynë. Prandaj është me domethënie që sot, pikërisht në Prizrenin ku u dënua dhe u var, Rrustë Kabashi përkujtohet e nderohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga qytetarët e saj”, tha kryetarja Haxhiu.

Të Ngjashme