Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se investimet që janë bërë në Klinikën e Gjinekologjisë, përurimi i të cilave është bërë sot, janë për t’u duartrokitur.
Ajo ka thënë se në dhomat e Gjinekologjisë nuk do të vendosen më më shumë se dy lehona, shkruan Arbresh.info.
“Deri më sot Klinika e Gjinekologjisë ka qenë ambient i cili kërkonte transformim të domosdoshëm si për nga nevojat e fëmijëve që vijnë në jetë, po ashtu edhe për lehonat”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ajo ka treguar se tri herë si paciente e kësaj klinike ka parë nga afër kushtet e rënda, sfidat e nevojat e pacientëve dhe të stafit mjekësor.
“Ishte kënaqësi e veçantë sot ta shoh nga afër transformimin e kësaj klinike. Infrastrukturë moderne e hapësira të pastra. Në dhomat e Gjinekologjisë nuk do të vendosen më më shumë se dy lehona. Mjetet dhe kushtet e përmirësuara në punë do ta shtojnë edhe angazhimin e stafit shëndetësor”, ka shkruar ajo.