Lajme

Haxhiu takohet me drejtoreshën e NDI-së, diskutojnë agjendën legjislative dhe barazinë gjinore

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit dhe mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se temë e diskutimit ishte edhe avancimi i një agjende ligjvënëse që merr parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave.

“Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve.

E falënderova znj. Soderberg për përkushtimin e saj personal dhe për mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka dhënë Kuvendit ndër vite. I gëzohem vazhdimit të këtij bashkëpunimi, me bindjen se institucionet tona bëhen më të forta kur përfitojnë nga dija, përvoja dhe partneritetet e qëndrueshme”, shkroi Haxhiu.

Të Ngjashme