Lajme

Haziri për deklaratën e Hovenier: Edhe një ‘shuplakë’ diplomatike e Amerikës për Qeverinë Kurti

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar qeverinë Kurti pas deklaratave të fundit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e përshkruar si një “shuplakë diplomatike” nga Shtetet e Bashkuara.

“Në 1-vjetorin e sakrificës së policit Afrim Bunjaku dhe reagimit të Policisë së Kosovës, që parandaluan dhe eliminuan kërcënimin më të madh terrorist në Republikën e Kosovës, vjen një shuplakë diplomatike e Amerikës për qeverinë Kurti,” shkroi Haziri.

Sipas tij, deklarata e ambasadorit Hovenier tregon shkallën në të cilën qeveria Kurti ka dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të cilat ai i quajti “mikun më të madh të shqiptarëve.”

Haziri gjithashtu citoi ambasadorin Hovenier, i cili kishte përmendur një këshillë nga babai i tij: “Mos p…… në dyer të klubit që doni të hyni,” për të ilustruar degradimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Sipas Hazirit, kjo deklaratë është një shenjë e qartë e shqetësimeve të ndërkombëtarëve për mënyrën se si qeveria Kurti ka trajtuar aleatët.

“Kjo qeveri, jo vetëm në derë të klubit, por ka p…… edhe në derë të mikut,” shtoi ai, duke e lidhur situatën me çështje si kontrolli mbi policinë dhe mosrespektimi i të drejtave të pakicave.

Haziri gjithashtu përmendi punën e Prokurorisë Speciale, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj 46 individëve të përfshirë në sulmet e vitit të kaluar.

“Drejtësia dhe Gjykata duhet të tregohet e drejtë dhe zbardh deri në fund këtë plan, inkriminimin dhe rolin e shtetit serb,” theksoi Haziri, duke shtuar se, edhe pse drejtësia vonon, “del në dritë.”