Njëra nga aktoret më të respektuara britanike, ka folur hapur pse nuk u martua me regjisorin e famshëm Tim Burton gjatë lidhjes së tyre 13-vjeçare.
Edhe pse kaluan më shumë se një dekadë së bashku dhe patën dy fëmijë, çifti nuk e tha kurrë “po” dhe aktorja ka shpjeguar pse martesa nuk ishte kurrë një mundësi për të.
Helena Bonham Carter dhe Burton u takuan në vitin 2001 në shesh-xhirimin e filmit ‘Planeti i majmunëve’, dhe shumë shpejt u bënë një nga çiftet më të njohura dhe të pazakonta në Hollywood. Gjatë lidhjes së tyre, ata patën djalin Billy, tani 22- vjeç, dhe vajzën Nellin, e cila është 17-vjeçe, transmeton KosovaPress.
Në një paraqitje në podkastin Fashion Neurosis të Belle Freud, aktorja 59-vjeçare pranoi sinqerisht se thjesht nuk e pranon konceptin e martesës.
“Nuk jam martuar kurrë vërtet sepse sinqerisht nuk mund ta bëj këtë premtim. Nuk mendoj se është e shëndetshme”, tha ajo.
Carter gjithashtu përmendi diagnozën e saj ADHD si një arsye tjetër, e cila do ta kishte bërë planifikimin e një dasme jashtëzakonisht stresuese për të.
Çifti u nda në vitin 2014 dhe Bonham Carter më vonë e përshkroi ndarjen si një “divorc” edhe pse ata nuk u martuan zyrtarisht. Tim Burton, nga ana tjetër, deri vonë ishte në lidhje me aktoren italiane Monica Bellucci, por ndarja e tyre u konfirmua në fillim të këtij viti.


