Bota

Hiqen nga dosja e Epstein materialet që identifikojnë viktimat

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka tërhequr nga faqja e tij zyrtare mijëra dokumente që kishin lidhje me çështjen e Jeffrey Epstein, pas ankesave të viktimave se përmes tyre ishte zbuluar identiteti i tyre. Sipas avokatëve mbrojtës, redaktimet e bëra në dosjet e publikuara të premten rezultuan të pasakta dhe ekspozuan të dhëna personale të rreth 100 të mbijetuarve, duke u shkaktuar atyre pasoja të rënda.

Në materialet e publikuara ishin përfshirë adresa emaili, fotografi dhe informacione të tjera që mundësonin identifikimin e viktimave. Të mbijetuarit e quajtën këtë situatë skandaloze, duke theksuar se nuk duhet të përballen sërish me ekspozim publik dhe trauma të reja. Pas reagimeve, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se i kishte hequr menjëherë dokumentet problematike dhe pranoi se gabimet kishin ndodhur për shkak të problemeve teknike ose njerëzore.

Sipas BBC-së, në një letër drejtuar një gjyqtari federal, autoritetet amerikane konfirmuan se të gjitha dosjet për të cilat viktimat ose përfaqësuesit e tyre kishin kërkuar heqje, ishin tërhequr për redaktim të mëtejshëm. Departamenti po vazhdon shqyrtimin e kërkesave të reja dhe po kontrollon nëse ekzistojnë materiale të tjera që kërkojnë korrigjim.

Dy avokatë që përfaqësojnë viktimat deklaruan se situata ishte emergjente dhe kërkonte ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore, pasi shumë dokumente përmbanin emra dhe të dhëna personale që nuk duhej të ishin bërë publike.

Disa nga viktimat përfshinë dëshmi personale në letër, duke treguar se publikimi i informacionit i kishte vënë në rrezik serioz. Një prej tyre e cilësoi situatën si kërcënuese për jetën, ndërsa një tjetër tha se kishte marrë kërcënime me vdekje pas ekspozimit të të dhënave të saj bankare. Avokatja e njohur Gloria Allred, e cila ka përfaqësuar shumë prej viktimave të Epstein, deklaroi për BBC-në se në dokumente ishin zbuluar emrat e personave që deri tani nuk kishin qenë të identifikuar publikisht.

Që nga miratimi i një ligji vitin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë ka bërë publik një numër të madh materialesh që lidhen me Epstein. Vetëm të premten e kaluar u publikuan rreth tre milionë faqe dokumente, 180 mijë fotografi dhe mbi 2 mijë video. Ky veprim erdhi gjashtë javë pasi institucioni nuk arriti të përmbushte afatin ligjor të vendosur pas presionit dypartiak në Kongres dhe nënshkrimit të urdhrit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për transparencë të plotë mbi këtë çështje.

/tiranapost

Të Ngjashme