Lajme

​Hiqet një hallkë në Prokurorinë Speciale, çfarë ndryshon për nisjen e hetimeve?

Prokurorët specialë mund të kërkojnë regjistrimin e lëndëve për hetime sipas detyrës zyrtare, pa autorizim paraprak nga Kryeprokurori.

Këtë e mundëson një vendim i ri i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca. Ai ka ndryshuar dhe plotësuar Udhëzuesin për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit.

Sipas njoftimit, prokurorët mund t’i drejtohen kësaj zyre drejtpërdrejt për të marrë numrin e regjistrimit të lëndës. Kjo procedurë shërben për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare, brenda kompetencave të tyre ligjore.

“Ushtruesi i detyrës së Kryeprokrurorit të Prokurorisë Speciale, z.Dren Paca, ka nxjerrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit në Prokurorinë Speciale, në harmoni dhe respektim të kompetencave dhe pavarësisë funksionale të prokurorëve për incimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare. Sipas vendimit, prokurorëve specialë u mundësohet që, në ushtrim të kompetencave të tyre, të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, me qëllim të inicimit të hetimeve”, thuhet në njoftim.

Ndryshimi synon lehtësimin e procedurave administrative dhe nxitjen e prokurorëve për nisjen e hetimeve. Prokuroria thotë se vendimi respekton kompetencat dhe pavarësinë funksionale të tyre.

Prokuroria Speciale ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe hetimin e veprave brenda kompetencës së saj. 

Të Ngjashme