Në prag të katërvjetorit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Pragë, me fokus avancimin e procesit të integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Gjatë vizitës, Zulfaj zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve çeke dhe personalitete me përvojë në procesin e integrimit evropian.
Ndër ta ishin e dërguara e Qeverisë çeke për Ballkanin, Edita Hrdá, ish-shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Qeverisë çeke.
Në kuadër të shkëmbimit të përvojave për integrimin evropian, kryenegociatori kosovar u takua edhe me Pavel Telička, ish-kryenegociatorin e Çekisë për anëtarësim në BE.
Vizita përfshiu gjithashtu takime në Senatin çek me Pavel Fischerin, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Siguri, dhe Jan Schillerin, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Diskutimet u përqendruan në avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, mbështetjen që Republika Çeke mund të ofrojë në këtë proces, si dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe sigurinë rajonale.
Zulfaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për Kosovën, veçanërisht gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së në vitin 2022.
Ai shprehu mirënjohje edhe për kontributin e mbi 8.000 ushtarëve dhe pjesëtarëve të personelit çek që kanë shërbyer në Kosovë, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Praga ka një rëndësi të veçantë për rrugëtimin evropian të Kosovës.
Më 15 dhjetor 2022, kryeministri Albin Kurti dorëzoi në këtë qytet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
Ky moment shënoi një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për integrim evropian dhe krijoi një lidhje të veçantë mes Kosovës, Çekisë dhe kryeqytetit çek.
