Lajme

Historia e shqiptarit që vendosi në lëvizje drejtësinë e katër shteteve evropiane

Rasti i 25-vjeçarit me origjinë shqiptare, Rexhino Abazaj, i njohur si “Gino”, ka marrë një vëmendje të gjerë mediatike në Itali, Francë, Gjermani dhe Hungari.

I rritur në Itali që në moshën trevjeçare, Gino nuk mundi të merrte shtetësinë italiane së bashku me familjen e tij për shkak të një kallëzimi penal gjatë një proteste kundër nxjerrjes nga banesa të një qytetareje.

I mbetur me pasaportë shqiptare dhe i angazhuar si aktivist i krahut të majtë antifashist, jetesa e tij u zhvendos në Finlandë përpara se të përfshihej në një përplasje të dhunshme mes grupeve ekstreme në Budapest gjatë vitit 2023.

Pas këtyre ngjarjeve, gjykatat hungareze e dënuan atë në mungesë me 25 vite burgim, ndërsa autoritetet e këtij vendi lëshuan urdhër-arrest ndërkombëtar.

Zgjidhja e statusit të tij ligjor është ndërlikuar edhe më tej pasi Franca e arrestoi Ginon me kërkesë të drejtësisë gjermane, për shkak se një nga personat e dëmtuar gjatë përplasjeve në Hungari ishte me kombësi gjermane.

Megjithëse Gjykata e Apelit në Francë miratoi më 19 gusht ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbrojtja dhe grupet mbështetëse i drohen faktit se autoritetet gjermane mund ta transferojnë më pas drejt Hungarisë.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e Gjykatës së Lartë franceze, e cila do të shprehet më 30 shtator, ditë në të cilën në Paris janë paralajmëruar edhe protesta nga organizatat e majta për të bllokuar ekstradimin e tij.

Të Ngjashme