Kthimi pas në kohë në filmat vizatimorë nuk është gjë e veçantë, por kur ajo ndërthuret me historinë, padyshim që tërheq vëmendjen.
Një rast i tillë është “Time Hoppers: The Silk Road”, ku fëmijët heronj duhet të shpëtojnë trashëgiminë e dijetarëve islamikë që formësuan shkencën moderne.
Krijuesit e këtij filmi janë Flordeliza Dayrit dhe bashkëshorti i saj, Michael Milo.
Fëmijët, Abdullah, Ajsha, Khalid dhe Layla, hasen rastësisht në një laborator me një makinë udhëtimi, që të kthen pas në kohë. Ata ndiqen nga një alkimist mashtrues, i cili ka zbuluar fuqinë e makinës së kohës, duke i futur këta të fundit në aventura të shumta. Ndërsa historia zhvillohet nëpër qytete, vende dhe shekuj, grupi ka për detyrë të rimarrë pajisjen, ndërkohë që mbron figurat kryesore historike nga ndërhyrjet.
Midis këtyre figurave, është Al-Khwarizmi, i konsideruar si “babai i algjebrës”, Ibn al-Haytham, një pionier që eksploroi camera obscura, dhe Mansa Musa, sundimtar i Perandorisë Maliane i cili mendohet të ketë qenë njeriu më i pasur që ka jetuar ndonjëherë. Filmi gjithashtu nxjerr në pah figura të tilla si Maryam al-Astrulabi, një grua siriane e shekullit të 10-të e cila zhvilloi instrumentin astronomik astrolab.
“Ne donim të tregonim se nuk janë vetëm burrat ata që ishin studiues apo shkencëtarë, kishte edhe gra që ishin në krye”, u shpreh Dayrit.
Qëllimi i këtij filmi nuk është që të jetë vetëm për audiencë myslimane, por të përfshijë edhe të gjithë të tjerët dhe të mësojnë nga historia e kultura islamike.
Përpara se Time Hoppers të bëhej një film, ai ekzistonte si një libër elektronik, më pas u zgjerua në një lojë dhe një serial televiziv të papublikuar, pjesë e një ekosistemi më të gjerë të zhvilluar përmes Muslim Kids TV, platformës që çifti themeloi gati dy dekada më parë.
“Ne kemi krijuar përmbajtje për fëmijë për gati 20 vjet dhe e dinim që fëmijët myslimanë janë vërtet të nën-përfaqësuar”, u shpreh Milo.
Muslim Kids TV filloi si përmbajtje edukative dhe argëtuese për fëmijët e tyre, por evoluoi në një mision më të gjerë për të krijuar histori në të cilat fëmijët myslimanë mund ta shihnin veten të reflektuar.
“Për ne, ishte shumë e rëndësishme të kishim një histori ku, para së gjithash, fëmijët ishin heronjtë”, tha Dayrit.
Si për Dayrit ashtu edhe për Milon, kjo lidhet me realitetin në të cilin po rriten shumë fëmijë myslimanë në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në një kohë kur islamofobia po rritet dhe kur në media shpesh shfaqen paraqitje negative për identitetin e tyre.
“Kur e dëgjon vazhdimisht këtë, si në lajme ashtu edhe në jetën e përditshme, fillon të besosh se nuk i përket këtyre hapësirave. Është e rëndësishme që ata ta dinë se i përkasin”, tha Dayrit.
Stili vizatimor i filmit është i ngrohtë dhe plot ngjyra, duke pasqyruar bukurinë e artit islam, modelet gjeometrike dhe arkitekturën e qyteteve të lashta myslimane. Muzika e butë dhe atmosferike e bën udhëtimin edhe më emocionues dhe shpirtëror për fëmijët.
“Time Hoppers: The Silk Road” nuk është vetëm një udhëtim në histori, por edhe një mesazh për ndershmërinë, bashkëpunimin, respektin ndaj kulturave të tjera dhe besimin tek vetja. Ata kuptojnë se edhe pse njerëzit vijnë nga vende dhe kohë të ndryshme, të gjithë mund të lidhen përmes dijes dhe mirësisë.
“Ne duam që ata të ndihen krenarë dhe të ndiejnë se mund të bëjnë një ndryshim”, tha Dayrit.
