ShowBizzz

Hollywood-i në zi, ndërron jetë në moshën 36-vjeçarja aktorja e njohur

Aktorja amerikane Hayden Panettiere, e njohur për rolet e saj në serialet e famshme “Heroes” dhe “Nashville”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare.

Lajmin e trishtë e bëri të ditur babai i saj, Skip Panettiere, përmes një deklarate të publikuar të dielën në mbrëmje.

“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Hayden, vajzës sonë të dashur”, thuhej në deklaratë.

Panettiere u gjet pa ndjenja në apartamentin ku po qëndronte përkohësisht.

Sipas Zyrës së Mjekut Ligjor të Greenville County, rreth orës 13:50 të së dielës autoritetet morën një telefonatë në numrin e emergjencës 911 për një rast të dyshuar arresti kardiak.

Telefonatën e bëri një person i njohur i aktores.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, Hayden Panettiere u shpall e vdekur në orën 14:32.

Një autopsi u krye të hënën, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk janë konstatuar shenja traume që mund të kenë kontribuar në vdekjen e saj.

Shkaku i saktë i vdekjes mbetet ende në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Sipas hetimeve paraprake, nuk ka prova për ndërhyrje kriminale apo rrethana të dyshimta.

Vdekja e aktores vjen pas një periudhe të vështirë në jetën e saj.

Panettiere kishte folur publikisht për betejën me depresionin pas lindjes dhe varësinë.

Së fundmi, aktorja kishte publikuar edhe kujtimet e saj me titull “This Is Me: A Reckoning”, ku rrëfente detaje të panjohura nga jeta dhe marrëdhëniet e saj.

Në vitin 2024, Panettiere foli gjithashtu për dhimbjen pas humbjes së vëllait të saj të vogël, aktorit Jansen Panettiere, i cili ndërroi jetë papritur në vitin 2023 për shkak të një problemi të padiagnostikuar në zemër.

“Kur humbet dikë që e ke parë në të gjitha momentet e rëndësishme të jetës tënde, gjithmonë pranë teje, kjo ta shemb botën”, u shpreh ajo në një intervistë për emisionin “TODAY” të NBC.

Hayden Panettiere lindi dhe u rrit në Palisades, New York, dhe u bë e njohur që në moshë të re përmes roleve në televizion dhe kinema.

Roli i saj si Claire Bennet në “Heroes” dhe Juliette Barnes në “Nashville” e shndërroi në një prej figurave të njohura të televizionit amerikan.

Të Ngjashme