LifeStyle

Homazhet ndaj këngëtares – Motra e Dolly Parton u bën thirrje fansave: Ndaloni postimet e rreme me IA

Motra e këngëtares së njohur Dolly Parton u ka bërë thirrje fansave të ndalojnë publikimin e materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale pas vdekjes së artistes.

Stella Parton falënderoi publikisht të gjithë ata që kanë shprehur mbështetje të sinqertë për familjen pas ndarjes nga jeta të yllit të muzikës country. Megjithatë, ajo tha se familja po e kishte të vështirë të përballonte “sasinë e jashtëzakonshme të përmbajtjeve të krijuara me AI dhe gjithë mbeturinave” që po qarkullojnë në rrjet.

Dolly Parton u nda nga jeta më 25 gusht, në moshën 80-vjeçare. Pas vdekjes së saj, homazhe janë bërë në internet, por edhe në institucione të ndryshme, përfshirë Muzeun dhe Sallën e Famës së Muzikës Country në Nashville.

Në një postim në Instagram, Stella Parton kërkoi nga njerëzit të tregojnë më shumë “dhembshuri” dhe respekt në mënyrën se si reagojnë ndaj vdekjes së motrës së saj.

Thirrja e saj vjen pas rasteve të ngjashme, ku familjarë të artistëve të ndjerë kanë kundërshtuar përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve që pretendojnë të jenë homazhe.

Vajza e aktorit Robin Williams, Zelda Williams, u ka kërkuar më herët fansave të ndalojnë dërgimin dhe publikimin e videove të rreme të krijuara me AI me imazhin e babait të saj. Thirrja e saj u mbështet edhe nga Bernice A. King, vajza e Martin Luther King Jr.

Edhe Amy Redford, vajza e aktorit amerikan Robert Redford, ka reaguar ndaj përmbajtjeve të krijuara me AI pas vdekjes së të atit.

“Çdo qenie njerëzore përjeton dhimbje dhe humbje në jetë dhe familja ime nuk bën përjashtim”, shkroi Stella Parton.

Ajo shtoi se, për shkak të faktit që jeta e familjes së saj është zhvilluar përpara syrit të publikut, ata “nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i nënshtrohen një presioni të jashtëzakonshëm dhe mungesës së ndjeshmërisë nga të panjohur”.

Sipas saj, vala e përmbajtjeve të krijuara me AI dhe informacioneve të rreme do të vazhdojë, ndërsa ata që përfitojnë nga humbjet dhe tragjeditë e të tjerëve do të kalojnë më pas te një tjetër valë dezinformimi.

Stella Parton u kërkoi gjithashtu njerëzve që ta shohin jetën e motrës së saj si një shembull tolerance dhe respekti të ndërsjellë.

“Nuk bëhet fjalë për komentet më të zgjuara, mbeturinat e rreme të krijuara me AI apo postimet ironike në rrjetet sociale”, tha ajo.

Imazhe, këngë dhe video të krijuara me AI

Pas vdekjes së Dolly Parton, në internet janë shfaqur dhjetëra këngë, imazhe dhe video të krijuara me inteligjencë artificiale.

Mes tyre ka qenë edhe një imazh i publikuar nga presidenti amerikan Donald Trump në platformën Truth Social, ku ai shfaqet krah për krah me Dolly Parton. Imazhi ishte krijuar me AI.

Një tjetër imazh, i shpërndarë në Instagram dhe X, paraqiste këngëtaren e ndjerë pa grim dhe pa paruke. Përmbajtja u kritikua nga përdorues të rrjeteve sociale, të cilët e cilësuan atë si të papërshtatshme dhe shqetësuese.

Në YouTube është publikuar gjithashtu një video e përshkruar si një “homazh i krijuar nga fansat” në stilin e Miley Cyrus për Dolly Parton, e cila ishte kumbara e këngëtares. Videoja ka marrë më shumë se 1.5 milionë shikime.

Megjithëse videoja është e shënuar si e krijuar me AI dhe përmban një deklaratë se nuk është publikim zyrtar nga Miley Cyrus apo përfaqësuesit e Dolly Parton, shumë përdorues kanë komentuar duke falënderuar Cyrus për atë që e kanë konsideruar si një homazh të bukur.

Në internet janë shfaqur edhe materiale të tjera të krijuara me AI në stilin e këngëtareve Pink dhe Celine Dion.

Dolly Parton kishte shprehur shqetësimin për AI

Edhe vetë Dolly Parton kishte folur më parë për ndikimin e mundshëm të inteligjencës artificiale te artistët.

Në një intervistë për The Hollywood Reporter në vitin 2023, ajo tha se AI mund të ishte “e shkëlqyer për shumë gjëra, si shkenca dhe mjekësia”, por ideja që teknologjia të zëvendësojë njerëzit e shqetësonte.

“Një njeri nuk mund të rikrijohet”, ishte mesazhi i saj, teksa theksoi se dëshironte të linte pas një trashëgimi artistike të krijuar nga vetë ajo.

Të Ngjashme