Lajme

Hoti: Individë e grupe në PDK duan më shumë rrëzimin e Kurtit se lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti ka thënë se në Partinë Demokratike të Kosovës ka individë, e grupe që më shumë e duan rrëzimin e Albin Kurtit nga Qeveria se sa lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai ka thënë se kjo është dëshmuar gjatë këtyre ditëve kur kishte protesta.

“Në PDK ka individë dhe ka grupe të cilat e kanë dëshmuar edhe gjatë këtyre ditëve, që më shumë e duan rrëzimin e Albin Kurtit nga pushteti, sesa lirimin e atyre në Hagë dhe ata që deshën t’i japin konotacion tjetër protestës e devijim e duanë këtë, nuk e kanë një mend UÇK-në, por rrëzimin e Kurtit”, është shprehur Hoti kur është përmendur një status i deputetit të PDK-së, Eman Rrahamani i cili ka bërë thirrje për protesta.

“Kryeministri, në një situatë normale, është dashur që qysh dje ta fillonte punën për hartimin e një strategjie kombëtare për mbrojtjen e çlirimtarëve. Për gjashtë vite nuk ndërmori asnjë hap konkret dhe unë nuk besoj se do të ndërmarrë ndonjë as tani, pa presionin e protestave popullore. Përveç deklaratave populiste, nuk pres veprime konkrete prej tij pa protesta, ashtu siç ndodhi edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara”, ka shkruar Rrahmani.

Por, deputeti i LVV-së në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ka thënë se Qeveria do të punojë në strategjinë, por sipas tij duhet pritur aktgjykimin e plotë.

“Duhet të bëhet ekip, strategji, ta presim aktgjykimin e plotë që të punohet mirëfilli dhe të ecim përpara. U bë shumë mirë që u tejkalua kjo çështja e fushatës, paramendojeni çfarë do të ndodhte në teren qysh dimë të kemi fërkime të forta në këtë situatë. Jemi në një situatë më të favorshme tani”, ka thënë ai.

Të Ngjashme