Lajme

Hungaria i jep “ok”, Suedia do të jetë anëtari i 32 i NATO-s

Parlamenti i Hungarisë miratoi me shumicë dërrmuese që Suedia t’i bashkohet NATO-s, duke i hapur kështu rrugën për pranimin e vendit nordik në aleancë pas gati dy vitesh negociata intensive.

Hungaria ishte pengesa e fundit që Suedia të bëhej pjesë e Aleancës. Kryeministri suedez Ulf Kristersson vizitoi Budapestin të premten për të diskutuar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban. Të dy palët dukek se u pajtuan, duke rënë dakord për një marrëveshje që Suedia t’i jepte Hungarisë katër avionë të rinj luftarakë të prodhimit suedez Gripen.

Nga 194 anëtarët e parlamentit që votuan, vetëm gjashtë e kundërshtuan pranimin e Suedisë.

“Sot është një ditë historike,” tha Kristersson në X menjëherë pas votimit. “Suedia është e gatshme të mbajë përgjegjësinë e saj për sigurinë euroatlantike”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi se Suedia do t’i bashkohet aleancës tani që të gjithë aleatët kanë miratuar pranimin e Suedisë për t’u anëtarësuar.

“Anëtarësimi i Suedisë do të na bëjë të gjithëve më të fortë dhe më të sigurt,” tha Stoltenberg.

Me pranimin e Suedisë, NATO do të numërojë 32 vende anëtare. Vitin e kaluar, Finlanda u bë anëtari i 31-të i NATO-s. Siç thotë NATO, Finlanda dhe Suedia do të gëzojnë mbrojtjen e dhënë sipas nenit 5 të traktatit që themeloi aleancën – i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet një sulm kundër të gjithëve.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo