ShowBizzz

Hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Rrugor: Del shkaku kur hiqet patenta përjetë

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë hyrë zyrtarisht në fuqi, duke sjellë masa më të ashpra ndëshkuese për të gjithë personat që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.

Paketa ligjore, e cila u miratua në seancën parlamentare të 18 qershorit dhe u publikua në Fletoren Zyrtare më 22 korrik, tashmë ka nisur zbatimin e plotë nga Policia Rrugore.

Ndryshimi kryesor i kësaj reforme lidhet me drejtuesit e mjetit që janë përsëritës në shkeljen e rregullave të qarkullimit sa i përket konsumimit të alkoolit.

Sipas dispozitave të reja, çdo shofer që kapet sërish duke drejtuar automjetin me një nivel alkooli në gjak mbi normën prej 0.5 gramë për litër, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do të përballet me heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit.

Kjo masë administrative nuk parashikon asnjë mundësi rikthimi apo faljeje. Personat të cilëve u hiqet leja e drejtimit mbi këtë bazë humbasin përfundimisht të drejtën për t’u riregjistruar në autoshkollë apo për ta rimarrë patentën në të ardhmen.

Përmes këtyre ndryshimeve, autoritetet synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve me pasojë jetën.

Të Ngjashme