Lajme

I akuzuari tërheq pranimin e veprës: nuk e ka kuptuar policin shqiptar të Zvicrës

Por sipas Gjykatës së lartë “I gjithë procesi i ndalimit është kryer në gjuhën shqipe nga një polic kantonal, gjuha amtare e të cilit është shqipja”

E premte, 12 Janar 2024 – 18:40albinfo.ch
Gjykata e Qarkut në Rheinfelden ka dënuar një person (nga Ballkani) me burg dhe dëbim nga vendi për vjedhje në grup. Ai ka apeluar kundër këtij vendimi, transmeton albinfo.ch. Arsyetimi i tij para Gjykatës më të lartë (kantonale): Pranimi i veprës i bërë nga ana e tij gjatë arrestit paraprak nuk mund të përdoret, sepse kishte mungesë informacioni ligjor dhe përkthimi ishte i pamjaftueshëm.

Vjedhja gjatë natës në një zonë banimi në Fricktal të poshtëm rreth dy vjet më parë kishte përfunduar në pranga për një person nga Ballkani. Në shtator të vitit 2022, Gjykata e Qarkut e Rheinfelden-it e kishte dënuar atë për vjedhje në grup, dëmtim të shumëfishtë të pronës dhe shkelje të shumta, shkruan gazeta Aargauer Zeitung. Krahas dënimit me burgim me kusht prej tetë muajsh, gjykata i kishte shqiptuar edhe dëbimin nga vendi për dhjetë vjet.

I akuzuari ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të fajësisë dhe ka kërkuar lirim. Kjo përkundër faktit se ai gjatë arrestimit paraprak ka pranuar se ka qenë i përfshirë në dy vjedhje – akuzohet për katër. I akuzuari e përshkroi rolin e tij gjatë arrestimit si “roje” dhe “post”. Shuma e shkeljes ishte vetëm 80 franga.

Procesi i arrestimit dhe marrjes në pyetje është kryer në gjuhën shqipe

I akuzuari u ankua në Gjykatën e Lartë, sepse sipas tij pranimi i bërë i veprës gjatë arrestit paraprak nuk mund të përdorej për shkak të mungesës së informacionit ligjor dhe përkthimit të pamjaftueshëm. Por Gjykata e lartë e sheh këtë ndryshe. Sipas saj, madje “është e dokumentuar në dokumente se i gjithë procesi i ndalimit është kryer në gjuhën shqipe nga një polic kantonal, gjuha amtare e të cilit është shqipja”.

Rrjedhimisht, vijon Gjykata e lartë, i akuzuari ishte informuar për arsyet e arrestimit dhe për të drejtat e tij në një gjuhë që ai mund ta kuptonte, përcjell albinfo.ch. Këtë e ka konfirmuar vetë i akuzuari me nënshkrimin e tij në fletëpalosjen “Arrestimi” që i është dorëzuar në gjermanisht dhe shqip. Kjo fletë informacioni liston të gjitha të drejtat që i takojnë një personi të akuzuar.

Sipas gjykatës së lartë, nuk ka asnjë provë se fleta informative dhe udhëzimet përkatëse i janë dhënë të akuzuarit vetëm pas intervistimit, siç pretendon ai. Në përmbledhje, gjykata e lartë deklaron se deklaratat e të akuzuarit mund të përdoreshin në kuadër të arrestit paraprak. Për këtë arsye, ankimi i të pandehurit rezulton i pabazuar në këtë pikë.

Në ankesën e tij i akuzuari më tej ka mohuar se kishte ndonjë provë apo dëshmi se ai ishte kryerës i veprës penale. Siç vuri në dukje Gjykata e lartë, fakti që nuk u gjetën gjurmë të ADN-së në vendin e krimit nuk e shfajëson të akuzuarin. Kjo pasi, sipas deklaratës së tij, ai ka vepruar si roje.

Një rrethanë gjithashtu inkriminuese: I akuzuari është arrestuar pasi dikush kishte raportuar për një thyerje në afërsi të vendit të krimit, transmeton albinfo.ch. Atij iu sekuestruan para – në një shumë të ngjashme me atë që ishte vjedhur gjatë një vjedhjeje pak më parë. Rrethana tjetër inkriminuese: Objektet e vjedhjes ishin brenda një rrezeje të ngushtë, ndonjëherë as 100 metra larg njëra-tjetrës. Prandaj, Gjykata e Lartë nuk kishte dyshime të pakapërcyeshme për kryerjen e vjedhjeve nga ana e pandehurit.

“Fakti që – me sa shihet – bëhet fjalë vetëm për një seri vjedhjesh nuk e zhvlerëson faktin se mbrapa tyre ishte një bandë”, thuhet në vendim.

Gjykata e Lartë e ka cilësuar ankesën e të pandehurit si të pabazuar dhe e rrëzoi atë. Aktgjykimi dënues dhe dënimi nga aktgjykimi i shkallës së parë janë vërtetuar. Përveç kësaj, i akuzuari është urdhëruar të paguajë shpenzime më të larta gjyqësore (sesa në shkallën e parë) prej 3000 frangash.
https://www.albinfo.ch/i-akuzuari-terheq-pranimin-e-vepres-thote-se-nuk-e-ka-kuptuar-policin-shqiptar-te-zvicres/