Lajme

I arratisur për herë të katërt nga burgu/ Mediat ndërkombëtare, publikojnë artikullin: Kapet në Spanjë “magjistari” i arratisjeve, Taulant Toma

Policia spanjolle ka arrestuar në Tarragona të Katalonjës shqiptarin Taulant Toma, 42 vjeç, i njohur me nofkën “magjistari i arratisjeve” dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Sipas medias ANSA, arrestimi u krye të dielën, më 23 gusht, por u bë me dije zyrtarisht vetëm sot.

Burime hetimore konfirmojnë se gjatë ndalimit i kërkuari ka bërë rezistencë të fortë ndaj forcave të rendit. Taulant Toma numëron gjithsej katër arratisje nga institucionet penitenciare në Evropë, një shifër që e kalon edhe “rekordin” e kriminelit të njohur italian Felice Maniero.

Arratisja e tij e parë daton në vitin 2009 nga burgu i Ternit në Itali, ku u kap pas disa muajsh në Pavia. Në vitin 2013 ai u iku rojeve nga burgu i sigurisë së lartë në Parma dhe u largua drejt Belgjikës.

Dy vite më vonë, në 2015-ën, u arratis nga një burg në rajonin flamand të Belgjikës përpara se të ekstradohej sërish drejt Italisë.

Arratisja e tij e katërt dhe më e fundit ndodhi më 7 dhjetor 2025 nga burgu i sigurisë së lartë në Opera të Milanos. Toma preu në heshtje shufrat e qelisë në katin e tretë dhe u ul në oborrin e brendshëm me çarçafë të lidhur që i kishte mbledhur gradualisht.

Për të kaluar murin rrethues 6 metra të lartë, ai ndërtoi një shkallë me bishta fshesash e shirit ngjitës dhe përdori një grep hekuri të siguruar brenda burgut.

Për këtë ngjarje, Prokuroria ka vënë nën hetim edhe shokun e tij të qelisë, një 25-vjeçar, i cili dyshohet se e ndihmoi duke mbajtur roje ose duke krijuar një “piramidë njerëzore”. Toma duhet të vuajë edhe 22 vite të tjera burgim dhe dënimi i tij parashikohet të përfundojë në vitin 2048.

Të Ngjashme