Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se edhe presidentja Vjosa Osmani mund të jetë njëra nga pretendentet për kryetare të kësaj partie, nëse ka ambicie për ta marrë drejtimin e saj.
Duke komentuar mundësinë e kandidimit të Osmanit, Rugova ka thënë se nuk e di nëse ajo ka ambicie për këtë pozitë, por ka theksuar se nuk do të kishte asgjë të keqe nëse ajo do të bëhej pjesë e garës për kryetar të LDK-së.
“ Nuk e di a ka ambicie zonja Osmani, por nuk ka asgjë të keqe që edhe Osmani të jetë njëra nga pretendentet. Për të gjitha këto që po i elaborojmë dhe diskutojmë, do të vendosin anëtarësia dhe strukturat e LDK-së”, ka deklaruar Rugova.
Ai e ka cilësuar garën e mundshme për drejtimin e partisë si serioze dhe cilësore, duke shprehur pritshmërinë që në të të përfshihen emra dhe pretendentë me profil të fortë politik.
Sipas Rugovës, personi që do të marrë drejtimin e LDK-së do të ketë përgjegjësi të mëdha, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në menaxhimin e partisë, unifikimin e anëtarësisë dhe riorganizimin e strukturave.
“Unë e shoh si një garë serioze dhe cilësore, me emra dhe pretendentë seriozë. Sigurisht, cilido nga pretendentët që do të marrë drejtimin e LDK-së do të ketë një barrë jo të lehtë mbi supe, si në aspektin politik dhe menaxherial, ashtu edhe në unifikimin e partisë, ristrukturimin e saj dhe hartimin e një strategjie për rikthimin e LDK-së, me qëllim që ta sfidojë seriozisht mazhorancën aktuale që qeveris me Kosovën”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se një nga sfidat kryesore të kryetarit të ardhshëm do të jetë hartimi i një strategjie për rikthimin e LDK-së dhe forcimin e saj politik, me synimin për të sfiduar mazhorancën aktuale që qeveris Kosovën.
Vendimi për udhëheqjen e ardhshme të partisë, sipas Rugovës, do t’u takojë anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së./teve1.info/
