Lajme

I buzëqeshur, Mbreti Charles në daljen e parë publike që nga diagnostikimi me kancer

Mbreti Charles është shfaqur për herë të parë në publik, pasi u diagnostikua me kancer. Mbreti ditën e sotme ishte i pranishëm në kishën e Shën Marisë Magdalenës.

Monarku 75-vjeç u shfaq i buzëqeshur dhe përshëndeti fotografët teksa hyri në kishë  i shoqëruar nga Mbretëresha Camilla.

Kujtojmë që ditën e djeshme mbreti shprehu falënderimet e tij të përzemërta për popullin britanik për mesazhet e tyre të shumta të mbështetjes dhe urimeve, gati një javë pasi u zbulua se ai vuante nga kanceri.

“Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për mesazhet e shumta të mbështetjes dhe urimeve që kam marrë gjatë ditëve të fundit”, tha ai në një mesazh të postuar në llogarinë zyrtare të familjes mbretërore në Instagram.

Kujtohet se Charles “theu” protokollet shumëvjeçare me zbulimin e kancerit të tij pasi zakonisht anëtarët e familjeve mbretërore preferojnë t’i mbajnë të fshehta probleme të tilla shëndetësore. Thuhet se mbretëresha Camilla ka qenë ajo që e ka nxitur të flasë hapur për problemin e tij shëndetësor duke u dhënë kështu një mesazh qytetarëve që të kryejnë kontrollet e nevojshme.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo