Lajme

I dëmtuan pajisje në apartamentin e dhënë me qera, pronari mban peng 6 italianët

6 turistë nga Italia, janë marrë “peng” për një orë nga pronari i apartamentit në Sarandë, pasi sipas tij, i janë dëmtuar disa nga pajisjet. Pas marrjes së informacionet, 59-vjeçari nga Kosova u arrestua nga Policia. Siç shihet nga videoja, turistët i kërkojnë pronarit të hapë derën, duke e cilësuar ilegale atë që po ndodh. Ata janë të veshur, me valixhet dhe gati për t’u larguar, por 59-vjeçari iu kontrollon valixhet dhe iu ka kyçur derën e apartamentit, teksa iu kërkon të paguajnë.

Njoftimi

Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti. 59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.