I burgosuri Artan Zyliftari, i cili ndërroi jetë ditën e sotme në QSUT ndodhej pas hekurave që nga viti 2021.
Ai ishte arrestuar në kuadër të operacionit “Shpirti” që u zhvillua nga viti 2019 deri në vitin 2021, ku u mblodhën të dhëna të rëndësishme për pjestarë të katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuara.
Hetimet e vazhdueshme në bashkëpunim me autoritetet italiane çoi në arrestimin e 38 personave, mes të cilëve edhe punonjës policie dhe 2 shoqëruesit e Saimir Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku. Në atë kohë u sekuestruan rreth 4 milionë euro pasuri.
Një nga të arrestuarit ishte edhe Artan Zyliftari. Ai ishte dënuar nga GJKKO me 8 vjet burg, por do të bënte vetëm 5 vite e 4 muaj burg pasi përfitoi nga gjykim i shkurtuar.
Fatkeqësisht këtë të shtunë 31 vjeçari është dërguar në gjendje të rëndë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk ka mundur të shpëtojë.
Ai ka shfaqur probleme me shëndetin gjatë qëndrimit në burg dhe dyshohet që shkak i vdekjes ka qenë një atak kardiak.
“Me datë 28.10.2023, rreth orës 15.12 punonjësi i sigurisë në detyrë, njoftohet nga të paraburgosurit e dhomës për shqetësimet shëndetësore të shtetasit Zyliftari. Në mënyrë të menjëhershme është paraqitur stafi shëndetësor në detyrë dhe kanë bërë përpjekje për ti dhënë ndihmën e parë në ambjentet e infermierisë.
Në orën orën 15.28 pacienti është shoqëruar për në QSUT, Pavioni Kardiologji. Megjithë ndërhyrjen e stafit të specializuar në QSUT, në orën 16.20, pacienti ka bërë exitus letalus (vdekje) nga arrest kardiak.
Pacienti gjatë qëndrimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Jordan Misja, është kontrolluar rregullisht dhe gjithë vizitat mjekësore dhe terapitë janë administruar në kartelen shëndetësore nr.3350 të këtij pacienti. Pacienti është trajtuar për hipertension sipas protokolleve të miratuara dhe gjendja shëndetësore e tij ka qenë e qëndrueshme,” shkuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.