Lajme

I dënuari për vrasje kapet me armë në brez në një kafiteri në Prizren

Një person me të kaluar kriminale është arrestuar mbrëmjen e 27 majit në Prizren, pasi Policia i gjeti armë pa leje gjatë një kontrolli rutinë në një kafiteri, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Shpend Hotin, i dënuar më herët për vrasje.

Sipas informatave, patrulla policore kishte dalë në rrugën “Remzi Ademaj” pas raportimeve për muzikë me zë të lartë në lokalin “Fellas”.

Gjatë kontrollit rutinë ndaj të dyshuarit, Policia kishte zbuluar në brezin e tij një pistoletë të prodhimit turk të kalibrit 9×19, së bashku me një karikator, 14 fishekë dhe këllëfin e armës.

Sinjali mëson se i dyshuari është shoqëruar menjëherë në Stacionin Policor në Prizren, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë dhe njësia e krimteknikës, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin në cilësinë e provave materiale.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Shpend Sejdi Hoti është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të Ngjashme