Lajme

“I hodhi pranga” në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj përjashton Tedi Blushin

Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko ka vendosur përjashtimin për dy muaj të këshilltarit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Tedi Blushi nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe komisioneve.

Vendimi është marrë pasi Tedi Blushi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 22 dhjetor i vendosi në mënyrë simbolike pranga në tavolinë kreut të bashkisë, Erion Veliaj.

Sipas Blushit kjo ishte një mënyrë simbolike për t’i treguar se prangat janë drejtësia për aferën e inceneratorit inekzistent të Tiranës dhe për qindra milionë euro të vjedhura përmes kësaj skeme kriminale.

Lajmin e ka konfirmuar anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali nëpërmjet një deklaratë ku tha se Tirana është një mësimore se si një kryebashkiak i korruptuar refuzon të japë llogari, refuzon t’u përgjigjet pyetjeve, refuzon mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

“Sindroma e përjashtimit të opozitës ka kapur edhe Bashkinë e Tiranës. Kryetarja e Këshillit Bashkiak Romina Kuko ka vendosur përjashtimin nga mbledhjet e Këshillit dhe komisioneve të këshilltarit Tedi Blushi, pas dhurimit të prangave Erion Veliajt. Ky gjest simbolik në shenjë proteste ndaj refuzimit të Erion Veliajt për të dhënë llogari në Këshillin Bashkiak për inceneratorin e Tiranës, merr të njëjtën përgjigje dhe masë ndëshkimore si në Kuvendin e Shqipërisë.

Sot Erion Veliaj përmes një komunikimi publik deklaroi se “shpreson që Tirana të kthehet në një mësimore, për të kuptuar sesi në kohë rekord mund të bëhen transformime që përpara dukeshin të pamundura.” Zoti Veliaj ka shumë të drejtë, Tirana është një mësimore se si shkatërrohet identiteti i një kryeqyteti duke e transformuar atë vetëm në fjetore, gjelltore dhe gropë të thellë të krimit. Tirana është një mësimore se si braktiset prej vendasve ndonëse frekuentohet prej të jashtmëve. Tirana është një mësimore se si një kryebashkiak i korruptuar paguan prej 7 vitesh për një incinerator që nuk ekziston, dhe se si censurohet cdo lajm që lidhet me këtë aferë mafioze.”

Më pas ka reaguar dhe Tedi Blushi ku në një prononcim për mediat, u shpreh se vendimi për përjashtimin e tij është marrë nga Veliaj, pasi nuk do opozitë në Këshillin Bashkiak, teksa e konsideroi si shkelje flagrante të të drejtave të opozitës dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën dhe për ta izoluar.

“Përjashtimi im 2 mujor nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, është marrë si vendim nga Veliaj sepse nuk do opozitë në këshillin e bashkisë. Shkelje flagrante e të drejtave të opozitës dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën dhe për ta izoluar. Dorëzimi i prangave live, ishte një akt simbolik për qindra familjarë të Tiranës. Akt simbolik për qindra persona me aftësi të kufizuar që kërkojnë pajisjen me ambiente zyre ku të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre.”– tha ai.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo