Lajme

I kërkuar nga SPAK, përfshihet në konflikt të ar*atosur në Durrës. Pjesë e ngjarjes dhe një polic

DURRËS – Një incident me armë zjarri është regjistruar në zonën e Shkallnurit, në Durrës, pas një konflikti mes disa personave.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ndodhur mes Denis Tafilit 41 vjeç dhe 36 vjeçarit Edison Gjuzi, ndërsa në konflikt dyshohet se është përfshirë edhe një punonjës policie.

Gjatë konfliktit janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare për persona të plagosur apo për rrethanat e plota të ngjarjes.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e dinamikës së konfliktit dhe identifikimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.

Denis Tafili rezulton person në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Çfarë tha policia në mbrëmje vonë

Policia e Durrësit, priti plot 8 orë deri sa mori urdhrin nga Policia e Shtetit për të nxjerrë një komunikatë mbi ngjarjen.

Ajo tha se më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.

Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.

Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

Të Ngjashme