LifeStyle

“I Madhërishmi” Lorenco de Mediçi: Jeta e jashtëzakonshme e “tiranit të iluminuar” të Firences

Nga Catherine Fletcher

Në mesin e Mediçi, familja e famshme e bankierëve që numëronte Papët në mesin e klientëve të saj, dhe pjesëtarët e së cilës u bënë de facto sundimtarët e Firences, spikat mbi të gjithë një emër:Lorenco De Mediçi, ose I Madhërishmi.

Ai lindi më 1 janar të vitit 1449, në kohën kur familja e tij po gëzonte një pozitë për t’u pasur zili në krye të qeverisjes së Firences. Gjatë 15 viteve që kur ishte kthyer nga mërgimi, gjyshi i tij, Kozimo De Mediçi, e kishte rindërtuar fuqinë e familjes, duke hyrë në aleanca me familjet e tjera të qytetit përmes martesave, siç ishte ajo e babait të Lorencos me LukreziaTornabuoni.

Pas vdekjes së Kozimos në vitin 1464, vendin e tij e zuri i biri, Piero De Mediçi. Në periudhën e shkurtër, vetëm 5-vjeçare të sundimit të tij, Piero porositi një seri spektakolareafreskesh nga artisti Benoco Goxoli për kishëzën e pallatit të familjes.

Kur Piero vdiq në vitin 1469, qeverisja e qytetit kaloi në duart e djalit të tij 20-vjeçar Lorenco. Ai ishte mirë-arsimuar, dhe kishte marrë arsimin tradicional të një “njeriu të Rilindjes” në shkencat humane dhe arte nga shumë mësues, përfshirë filozofin e njohur Marsilio Fiçino.

Lorenco ishte një poet i talentuar, teksa kishte si hobi gjuetinë, kërcimin dhe shëtitjet në natyrë. Ai ishte i pari nga familja Mediçi që u martua jashtë Firences me Klariçe Orsinin, një anëtare e një familjeje të rëndësishme romane. Ajo martesë ishte një tregues se ambiciet e familjes, nuk ishin më të kufizuara vetëm në një qytet.

Këto aleanca kishin shumë rëndësi, pasi Mediçi ishin gjithnjë e më shumë të varur nga fuqia e tyre politike, si dhe të ardhurat që ata grumbullonin nga shteti fiorentin, si direkt falë posteve zyrtare që mbanin, ashtu edhe indirekt përmes patronazhit të kontratave.

Por në një moment banka e familjes ishte pranë falimentit. Pas mospagimit të një kredie nga mbreti Eduardi IV të Anglisë në vitin 1478, degët e saj në Londër dhe më pas në Bryzh dhe Milano, patën shumë vështirësi. Lorenco përjashtoi nga trashëgimia një pjesë të afërmve të tij, dhe nisi të përdorë paratë e tyre për të shpëtuar bankën.

Ndërkohë Mediçi nisi të anashkalonte strukturat e zakonshme të qeverisë fiorentine, duke qeverisur me anë të komiteteve të emergjencës të mbushura me aleatë, dhe duke i zgjedhur paraprakisht kandidatët në zgjedhje. Por këto sjellje ngjallën kundërshtime të shumta në qytet, si nga oligarkët rivalë, ashtu edhe shtresat e ulëta të popullatës.

Lorenco arriti deri aty sa të armiqësohej me Papën Sikstusin IV. Tensionet kulmuan në ngjarjet e 26 prillit 1478, në atë që hyri në histori si Komploti i familjes rivale Paci. Atentatorët arritën të vrisnin vëllanë e Lorencos, Xhiulianon, gjatë kohës që të dy po ndiqnin meshën në katedralen e Firences.

Arsyeja kryesore e komplotit ishte një grindje mbi qytetin e Imolës, që kishte një pozicion strategjik në rrugën midis Firences dhe porteve të Adriatikut. Duka i Milanos kishte rënë dakord që t’ia shiste atë Lorencos. Por ai u tërhoq nga marrëveshja, dhe vendosi t’ia shiste Papës.

Në shenjë hakmarrje, Lorenco De Mediçi, që ishte ende bankieri kryesor i Papës, refuzoi të financojë blerjen e qytetit. Papa Sikstus hoqi zyrtarisht dorë nga Bankën Mediçi dhe kërkoi huadhënës alternativë, përfshirë familjen fiorentine Paci.

Atentati ndaj Lorencos solli pasoja politike të rënda. Komploti i familjes Paci kërcënoi të destabilizonte të gjithë gadishullin italian, që kishte gëzuar një paqe të brishtë për pjesën më të madhe të dy dekadave pas pushtimit osman të Kostandinopojës në vitin 1453.

Ndërsa Mediçi ndëshkoi komplotistët – përfshirë Françesko Salviatin, kryepeshkopin e Pizës– Papa doli hapur kundër familjes Mediçi. Ekzistonte rreziku i një lufte të vërtetë, e cila në fund u shmang vetëm falë diplomacisë mbresëlënëse personale, në të cilën Lorenco e bëri veten vasal të mbretit Ferrante të Napolit, dhe e bindi këtë të fundit të hynte në një aleancë me të.

Në marsin e vitit 1480, Lorenco u rikthye në Firence dhe rifitoi pushtetin që kishte. Ai vazhdoi modelin e aleancave përmes martesave:djali i tij Piero do të martohej me AlfonsinaOrsinin e Napolit. Ndërsa vajza e tij Madalena u martua me një djalë të paligjshëm të pasardhësit të Papa Sikstusit, Papa Inocentit VIII.

Në vitin 1489, djali i Lorencos, Xhovani u bë kardinal. Ai ishte në atë kohë vetëm 13 vjeç, shumë nën moshën që ndodhte normalisht një promovim i tillë. Ndaj emërimi i tij ishte dëshmi e suksesit të Lorencos në rifitimin e ndikimit të tij.

Ndërkohë trashëgimia e tij më e njohur sot është ajo e patronazhit. Firence në kohën e Lorencos ishte qyteti i artistëve si Leonardo da Vinçi, 3 vjet më i ri se Lorenco, që iu bashkua ateliesë së Andrea del Verokios në mesin e viteve 1460.

Në fundin e jetës së Lorencos, një Michelanxhelo i ri (i lindur në vitin 1475) iu bashkua grupit të artistëve që mblidheshin në kopshtin e skulpturave të Pallatit Mediçi, ku ata ishin në gjendje të studionin koleksionin e artit dhe antikave të Lorencos.

Vdekja e Lorenco De Mediçi më 8 prillin e vitit 1492, cilësohet shpesh si fundi i një epoke. Ai ishte vetëm 43 vjeç, por vuante nga sëmundja reumatike e cermës, nga e cila vuanin në fakt të gjithë anëtarët e familjes së tij. Ai vdiq 2 vjet para shpërthimit të luftës dhe mërgimit të gjithë familjes Mediçi.

Për botën moderne, Mediçi u shndërrua në një model të filantropisë, edhe nëse kjo nënkuptonte anashkalimin e disa prej mjeteve më të dyshimta, me të cilat ata kishin fituar pasurinë dhe pushtetin e tyre. / History Extra” – Bota.al