Emri i vajzës së Lady Gaga-s nuk është zgjedhur rastësisht.
Sipas një burimi të cituar nga People, këngëtarja dhe Michael Polansky e kanë quajtur vajzën e tyre Rose, të frymëzuar nga kënga franceze La Vie En Rose, një melodi që ka një domethënie të veçantë në historinë personale dhe profesionale të Gaga-s.
Artistja e interpretoi këngën në filmin A Star Is Born të vitit 2018, por lidhja me të kishte nisur edhe më herët.
Në fakt, ishte pikërisht interpretimi i La Vie En Rose ai që thuhet se e bindi Bradley Cooper se Lady Gaga ishte personi i duhur për rolin e Ally-t.
Në prill të vitit 2016, Cooper e pa Gaga-n duke interpretuar këngën gjatë një eventi bamirësie të Parker Institute for Cancer Immunotherapy në shtëpinë e sipërmarrësit Sean Parker.
“Ajo e pushtoi të gjithë sallën”, kujtonte më vonë Cooper. “E kuptova menjëherë.”
Nga ai moment, ai e pa si protagonisten e A Star Is Born, filmit që më vonë do t’i sillte Gaga-s edhe Oscar-in për këngën Shallow.
Por ka edhe një tjetër rastësi që e bën historinë e emrit Rose edhe më personale.
Në të njëjtin event të vitit 2016 ndodhej edhe Michael Polansky, partneri i sotëm i këngëtares. Në atë kohë, megjithatë, të dy nuk njiheshin ende.
Polansky ishte i pranishëm sepse kishte ndihmuar në krijimin e Parker Foundation dhe shërbente si drejtues ekzekutiv i saj.
Pra, La Vie En Rose lidhet njëkohësisht me një nga kthesat më të rëndësishme të karrierës së Lady Gaga-s dhe, në mënyrë pothuajse të rastësishme, me një nga momentet kur rrugët e saj dhe të Polansky-t ishin kryqëzuar përpara se të njiheshin.
Një trëndafil që Gaga e ka prej vitesh në lëkurë
Dashuria e Gaga-s për La Vie En Rose është aq e fortë sa artistja e ka përjetësuar këngën edhe në trup.
Në vitin 2019 ajo bëri një tatuazh të madh përgjatë shtyllës kurrizore: një trëndafil me kërcell të gjatë, i shoqëruar nga fjalët “la vie en rose”.
Tani, vite më vonë, i njëjti simbol duket se është bërë edhe emri i vajzës së saj.
Po emri i mesëm, Bean?
Sipas burimit të cituar nga People, vajza quhet Rose Bean.
Edhe emri i mesëm mund të ketë një domethënie të veçantë.
Sipas raportimit, “Bean” mendohet se mund të jetë një homazh për aktivistin Carl Bean, figurë që ka frymëzuar Lady Gaga-n në krijimin e Born This Way.
Carl Bean ishte një aktivist amerikan për të drejtat LGBTQ+ dhe këngëtar gospel, i njohur mes të tjerash për këngën I Was Born This Way, e publikuar në vitet ’70.
Megjithatë, kjo lidhje me emrin e mesëm nuk është konfirmuar drejtpërdrejt nga Gaga apo Polansky dhe mbetet një shpjegim i dhënë nga burimi i People.
Vajza erdhi në jetë në qershor
Sipas raportimeve të Page Six, Lady Gaga dhe Michael Polansky u bënë prindër në qershor përmes një nëne surrogate.
Burime pranë çiftit kanë thënë se rruga drejt prindërimit kishte nisur disa vite më parë dhe nuk kishte qenë e lehtë.
Tani që vajza ka ardhur në jetë, të dy thuhet se kanë reduktuar angazhimet profesionale gjatë verës për të kaluar sa më shumë kohë me të.
Gaga dhe Polansky nisën lidhjen në fund të vitit 2019 dhe e bënë publike në fillim të vitit 2020. Ata u fejuan në vitin 2024, ndërsa muajt e fundit kanë qarkulluar raportime se mund të jenë martuar privatisht, megjithëse çifti nuk e ka konfirmuar publikisht.
Por mes të gjitha detajeve rreth ardhjes në jetë të vajzës së tyre, emri Rose është ndoshta ai që tregon më shumë.
Një këngë franceze që dikur i hapi Lady Gaga-s një derë të re në kinema, që rastësisht e vendosi në të njëjtën dhomë me njeriun me të cilin do të ndërtonte familjen dhe që, shumë vite më vonë, duket se i dha emrin vajzës së tyre./CLASS
