Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes së zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili humbi jetën pas lëndimeve të marra në një aksident gjatë kryerjes së detyrës.
Përmes një postimi në Facebook, Sindikata u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në telegramin e ngushëllimit, SPK ka vlerësuar kontributin e Kryeziut në shërbim të qytetarëve dhe përkushtimin e tij në detyrën zyrtare.
“Në këto çaste të dhimbjes së thellë, shprehim respektin tonë për jetën dhe kontributin e të ndjerit në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e detyrës zyrtare, duke ndarë dhimbjen me familjen dhe kolegët e tij për këtë humbje të rëndë”, thuhet në reagim.
Sindikata e Policisë e ka mbyllur telegramin me fjalët: “I paharruar qoftë kujtimi për të ndjerin Altin Kryeziu”.
