ShowBizzz

“I quajtën shqiptarët kriminelë”, Dua Lipa për ministrat britanikë: Komente dritëshkurtër, të dhëmbin

Ylli i muzikës ndërkombëtare Dua Lipa së fundmi ka folur në lidhje me mënyrën sesi ministrat britanikë kanë folur për emigrantët shqiptarë.

Lipa në një intervistë të dhënë për “Sunday Times” e ka quajtur këtë qasje si “shkurtpamëse” dhe se deklaratat e bëra nga ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman, që ka veçuar shqiptarët si “kriminelë”  e kanë lënduar.

“Sigurisht se me ka lënduar. Gjitha fjalët që janë thënë për emigrantët? Gjithmonë kam menduar se Londra është një bashkim kulturash. Se kjo është pjesë përbërëse e qytetit. Kur dëgjon që Qeveria flet për shqiptarët në atë mënyrë, atëherë të dhemb. Është shkurtpamëse dhe mendjeshkurtër, por është mënyra se si mendojnë njerëzit. Pavarësisht se sa shumë përpiqemi të ndryshojmë këtë retorikë, gjithmonë do të ketë të tillë që do të mendojnë, ‘imigrantët po vijnë në shtetin tonë dhe po na marrin vendet e punës”, ka thënë Lipa.

Ndër të tjera ylli i muzikës është shprehur se të gjithë që kanë ardhur në Britani nga vendet tjera është dashur të punojnë tepër për të arritur aty ku janë.

“Emigrantët që kanë ardhur këtu kanë fituar paratë e tyre duke punuar jashtëzakonisht shumë. Duhet më tepër ndjeshmëri, pasi njerëzit nuk largohen nga shtetet e tyre nga dëshira, por vetëm nëse është shumë e nevojshme apo se frikësohen për familjet e tyre”, ka thënë Dua Lipa.

Deklaratat e ministrave britanikë janë kritikuar edhe nga kryeministri Edi Rama të cilat i ka cilësuar si të të turpshme./abcnews.al