Dy ditë pasi Ilir Meta u shfaq në kafazin e qelqtë në GJKKO ku tërhoqi vëmendjen me pamjen e tij, deputeti demokrat Klevis Balliu i shkoi për vizitë në burg. Për gati një orë Balliu, zhvilloi takim më Presidentin e Partisë së Lirisë, por inspektoi dhe kushtet ku jetojnë të burgosurit e tjerë, raporton A2CNN.
Deputeti opozitar pohon se Metës po i bëhen padrejtësi në qeli dhe po hakmerren politikisht me të, transmeton Klankosova.tv.
“Ata mundohen me lojëra nga më të ndryshmet për ta vështirësuar kushtet e presidentit Meta. Mund t’ju them për shembull që e vetmja qeli në të gjithë burgun ku nuk punon sinjali për të thirrur oficerin e policisë, për një arsye që mund të ketë i burgosuri, e vetmja qeli ku nuk funksionon dhe nuk punon sinjali është qelia e Ilir Metës. Domethënë vetëm kaq mjafton për t’ju treguar se deri në sa imtësi këta merren me këto çështje”.
Kërkesa e Metës për seanca publike është mbështetur edhe nga demokrati.
“Dhe e vetmja gjë që ai kërkon është që seancat të jenë publike, që qytetarët të dëgjojnë që ku i paska vjedhur Ilir Meta, qoftë edhe një cent të shtetit shqiptar. Jo vetëm kaq, por është i vetmi rast, po ju kujtoj këtu Navalnin. Navalnit i u dha mundësia të jepte intervistë në burg në Siberi. Iu dha mundësia të jepte intervistë. Ilir Metës nuk i jepet kjo mundësi”, tha ai.
Kjo vizitë në burgun 313, i ka shërbyer Klevis Balliut edhe për të parë kushtet e të burgosurve të tjerë.
“Vetë burgu nuk i ka kushtet, nuk i kanë kushtet as vetë ata që punojnë aty”.
Balliu paralajmëroi vizita edhe në burgjet e tjerë për të parë se në çfarë kushtesh jetojnë të burgosurit.
