Lajme

I vëllai i vrau me sëpatë gruan, flet ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt: Jam munduar të …

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim, e ka kundërshtuar këtë masë sigurie, duke u arsyetuar se duhet të kujdeset për djalin e tij 12-vjeçar.

Gjatë seancës së mbajtur të martën, Sylaj ka deklaruar para trupit gjykues se nuk e di se ku ndodhet fëmija i tij dhe se ai ka nevojë për kujdesin e të atit.

Në vendimin e gjykatës, thuhet se Sylaj e ka kundërshtuar caktimin e paraburgimit edhe me arsyetimin se nuk ka mundësi të largohet nga vendi, pasi nuk posedon dokumentet e udhëtimit.

“I pandehuri Jeton Sylaj deklaroi se: E kundërshtoj propozimin e masës së paraburgimit, arsyeja që e kundërshtoj është se unë e kam një fëmijë të mitur të moshës 12 vjeç që tani nuk e di ku është, i njëjti ka nevojë për kujdesin tim”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ai ka folur edhe për dokumentet e udhëtimit, duke thënë se pasaportën amerikane ia kanë marrë organet e hetuesisë, ndërsa pasaportën e Kosovës, sipas tij, ia kishte marrë e ndjera.

“Ashtu siç deklaroi mbrojtësi im, pasaportën e Amerikës e kanë organet e hetuesisë, ndërsa pasaportën e Kosovës ma kishte marrë e ndjera, ndërsa unë pa dokumente nuk kam ku të largohem, përtej shtëpisë nuk kam ku të shtoj”, ka deklaruar Sylaj.

Në të njëjtën seancë, ai ka shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike, duke pretenduar se ishte përpjekur ta parandalonte vrasjen e Arlinda Zekajt, për të cilën dyshohet vëllai i tij, Albert Sylaj, i cili tashmë është ndaluar.

“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, citohet të ketë thënë ai para trupit gjykues.

Megjithatë, sipas dosjes së Prokurorisë, para prokurorit Sylaj kishte pranuar se i kishte drejtuar fjalë kërcënuese ish-bashkëshortes së tij.

Sipas të njëjtave shkresa, ai ishte arsyetuar se veprimet e tij i kishte ndërmarrë në mbrojtje të djalit të tyre 12-vjeçar.

Të Ngjashme