Lajme

Ibrahim Lici u kap në Turqi, i ati në SPAK: Djali s’ka lidhje me vrasjen e Mustafës

Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit, i cili u arrestua pak ditë më parë në Turqi, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e SPAK.

Ai është shprehur se djali i tij është arrestuar në Turqi për vrasjen e Endri Mustafës, teksa tha se akuzat nuk janë të vërteta, pasi sipas tij Ibrahim Lici ka qenë në Tiranë ditën që është vrarë Endri Mustafa në Shkodër.

Madje ai është shprehur se pamjet që e vërtetojnë këtë gjë i ka dorëzuar para autoriteteve përkatëse.

“Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale. Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim”, tha Lici.

Kujtojmë që Ibrahim Lici është arrestuar disa ditë më parë në Turqi, teksa vijojnë procedurat e për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Lici akuzohet për veprat penale “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Ne foto: Ibrahim Lici
Ne foto: Ibrahim Lici

Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Endri Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër.

Akuzat ndaj tij u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.

Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.

Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze. Ibrahim Lici ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

30 vjeçari, djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Licit, dyshohet si autori kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër, por edhe për bashkëpunim në ekzekutimin e Endri Mustafës në maj 2021.

Ai po ashtu është cilësuar nga Policia Shqiptare si një ndër personat më të rrezikshëm dhe muaj më parë qytetarëve u është kërkuar bashkëpunim, pasi foto dhe të dhënat e tij janë bërë publike. Ibrahim Lici njihet dhe me nofkën “Fantazma”, shkruan newsbomb.al.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo