Lajme

Identifikohet 26 vjeçarja që u gjet e vdekur në Durrës, dalin detaje të reja: E gjeti pastruesja me djalin 2 vjeç pranë

Detaje të reja dhe të dhimbshme janë mësuar për vdekjen shokuese që u zbulua në Durrës.

E ndjera u gjet e vdekur rastësisht nga pastruesja e cila gjeti dhe fëmijën pranë trupit të nënës së vdekur.

Gruaja 26 vjeçare Eferne Josephine King, shtetase britanike, kishte marrë me qira një apartament në lagjen nr 1 të qytetit të Durrësit, në një pallat pranë Muzeut Arkeologjik, në rrugën “Taulantia”.

Ajo po qëndronte prej tre ditësh aty së bashku me fëmijën e saj një djalë 2 vjeç. Banesën e kishte marrë me qira përmes Airbnb për 3 net dhe sot presupozohej ta linte.

Sot pas mesditës, në apartament është futur pastruesja. Ajo është shtangur kur ka parë vogëlushin që qëndronte në heshtje pranë trupit të pajetë të nënës së tij.

Pranë shtratit ku u gjet e vdekur 26 vjeçarja, u gjetën disa medikamente.

Gruaja, e cila ishte me mbipeshë të dukshme, është e paqartë përse ka vdekur. Nga këqyrja paraprake nuk janë evidentuar shenja dhune në trupin e të resë.

“Rreth orës 12:50, në lagjen Nr.1, në një apartament, nga shërbimi i Urgjencës Durrës është gjetur pa shenja jete shtetasja angleze E. S., 25 vjeçe.

Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Gjithashtu është gjetur edhe fëmija i kësaj shtetaseje, rreth 2 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore”, tha policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Nga një hetim paraprak, pistat e hetimit shtrihen kryesisht te një vetëvrasje e mundshme, por nuk përjashtohet as ndonjë komplikim shëndetësor./noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Të Ngjashme