Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e vendit, duke njoftuar se gjatë ditës së nesërme priten kushte të paqëndrueshme atmosferike me stuhi të fuqishme.
Sipas njoftimit të IHMK-së, priten reshje intensive shiu, bubullima, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish. Paralajmërimi do të jetë në fuqi nga ora 00:00 deri në orën 23:59 (GMT+2).
“Zhvillimet e fuqishme konvektive mund të shkaktojnë rreziqe të konsiderueshme për qytetarët dhe infrastrukturën”, ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Sipas institutit, si pasojë e këtyre kushteve atmosferike mund të ketë goditje rrufeje me rrezik për njerëzit dhe kafshët, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe pengesa në shërbimet e telekomunikacionit.
Po ashtu, IHMK ka paralajmëruar për mundësi të përmbytjeve të shpejta lokale në zonat ku reshjet do të jenë më intensive, si dhe dëmtime të mundshme në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore si pasojë e breshrit dhe erërave të forta.
Instituti ka theksuar se shkarkimet atmosferike mund të rrisin edhe rrezikun për shpërthimin e zjarreve.
IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kohës së stuhive të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura.
“Qytetarët këshillohen të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, si dhe të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta”, thuhet në këshillimin e IHMK-së.
Gjithashtu, qytetarët janë këshilluar të kenë kujdes gjatë komunikacionit për shkak të mundësisë së zvogëlimit të dukshmërisë dhe rrugëve të rrëshqitshme.
