Lajme

Ilir Proda e çoi “sa këtej e sa andej” pasi arrestoi Altin Morinën, Skënder Hita rikthen në detyrë Ritvan Palin, e bën shef të Operacionales në Lezhë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vendosur rikthimin në detyrë të Ritvan Palit, efektivit që u largua nga uniforma blu pas një kalvari të gjatë lëvizjesh dhe transferimesh, të nisura pas arrestimit të bujshëm të ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina.

Burime për A2 bëjnë me dije se Pali është rikthyer tashmë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka marrë detyrën e shefit të Operacionales në Policinë e Lezhës.

Rikthimi i tij vjen rreth nëntë muaj pasi ai u largua përfundimisht nga Policia e Shtetit, pas një periudhe të ndjekur nga transferime të njëpasnjëshme dhe ndryshime në detyrë e gradë.

Karriera e tij mori një kthesë të fortë më 4 prill 2025 kur në atë kohë në detyrën e shefit të Komisariatit nr. 2 në Tiranë, drejtoi operacionin që çoi në arrestimin e të shumëkërkuarit të SPAK Altin Morina. Morina, ish-efektiv i Forcave Speciale RENEA, ishte shpallur në kërkim nga SPAK dhe akuzohej për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Arrestimi që në rrethana normale do të duhej të përbënte një pikë pozitive në karrierën e një drejtuesi policie u pasua nga një seri lëvizjesh për Palin. Ai u largua nga drejtimi i Komisariatit nr. 2 dhe më pas me urdhër të kryepolicit të kohës, Ilir Proda, u transferua disa herë në struktura të tjera ndërsa iu ul edhe grada.

Në muajt që pasuan, Pali u caktua në detyra gjithnjë e më periferike, përfshirë edhe Komisariatin e Devollit, ndërsa më vonë shërbeu si specialist për Rendin në Sektorin e Rendit Publik në Kukës.

Në nëntor të vitit 2025, pas kësaj serie lëvizjesh Pali dha dorëheqjen nga Policia e Shtetit. Pali iu drejtua edhe gjykatës, duke kundërshtuar vendimet administrative të marra ndaj tij. Ai fitoi proceset në Gjykatën Administrative, duke arritur të rikthejë edhe gradën e humbur./A2news

Të Ngjashme