Ylli i TikTok, Charli D’Amelio, ka folur hapur për sfidat që po përjeton në të njëzetat e saj, duke pranuar se shëndeti i saj mendor është përkeqësuar.
Në një video të publikuar në YouTube, 22-vjeçarja tha se me kalimin e viteve është rritur edhe nevoja për terapi, ndërsa po përballet për herë të parë me përgjegjësinë e plotë për jetën dhe vendimet e saj.
Ajo tregoi se një nga vështirësitë më të mëdha është mungesa e një mentori apo udhëzuesi që ta ndihmojë në këtë fazë të jetës.
Megjithatë, Charli u shpreh optimiste për rikthimin në YouTube pas një pauze katërmujore.
Deklaratat vijnë në një kohë kur në rrjet kanë qarkulluar spekulime për një krisje në marrëdhëniet me prindërit.
Thashethemet nisën pasi fansat vunë re se anëtarët e familjes nuk e ndiqnin më njëri-tjetrin në Instagram dhe pasi Charli u largua nga biznesi familjar “Be Happy Snacks”.
Pa hyrë në detaje, influencuesja tha se muajt e fundit kanë qenë shumë të ndjeshëm për të dhe se do të flasë më shumë kur të vijë momenti i duhur.
Theksoi po ashtu se dëshiron të jetë e hapur për shëndetin mendor, me shpresën që historia e saj të ndihmojë edhe të tjerët që po kalojnë periudha të vështira.
Ndërkohë, babai i saj, Marc D’Amelio, ka mohuar zërat për përçarje në familje, duke deklaruar se ata e duan Charlin dhe se situata është keqkuptuar.
