Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zbuluar arsyen se pse zgjodhi të mos takonte ditën e djeshme përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti tha para gazetarëve se nuk ka nevojë ta takojë, duke qene se ka pasur angazhime të tjera.
Ai tha se ‘gjithçka është në rregull’ pasi është zhvilluar takimi mes Lajçakut dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit.
Kujtojmë se një ditë më parë, Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Bislimi zhvilloi një darkë pune me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se në atë takim u diskutua lidhur me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
“Është takuar zëvendësi im Besnik Bislimi edhe gjithçka është në rregull. Po unë isha në Klinë dhe në Pejë dhe tash këtu nuk ka nevojë. Kur ka nevojë e takoj edhe unë po tash, Besnik Bislimi është duke kontaktuar komunikuar me të. Nuk është hera e parë që kemi takim me emisarin evropian, por këtë e zhvillon zëvendësi im, i cili është përgjegjës për integrime evropiane zhvillim dhe dialog”, tha Kurti.