Lajme

​Inspektorati evidenton nëntë produkte të qumështit me mospërputhje

Nëntë produkte të qumështit me mospërputhje janë hasur gjatë inspektimeve të zhvilluara në treg, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sipas Ministrisë, kontrollet po kryhen intensivisht nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), bazuar në mospërputhjet e evidentuara në raportin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në listën e publikuar përfshihen produktet “Schmand VITA 18%” në paketime prej 180, 400 dhe 800 gramësh, “Mushroom Cream Cheese” prej 200 gramësh, “Mazë tradicionale DRENA” prej një kilogrami dhe “Holla Cooking Cream” prej një litri.

Mospërputhje janë evidentuar edhe te qumështi “MY COW 3.2%”, “Mazë tradicionale MILKET” prej 800 gramësh dhe “Schmand AJKA” prej 500 gramësh.

IQMT-ja ka kryer riinspektime në disa markete, të cilat ditë më parë ishin urdhëruar t’i tërhiqnin nga shitja produktet e identifikuara në raportin e AUV-it.

“Gjatë këtyre riinspektimeve është verifikuar se operatorët ekonomikë kanë respektuar urdhëresat e IQMT-së dhe kanë ndërmarrë masat e kërkuara për tërheqjen e produkteve nga tregu”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjatë ditës janë realizuar 23 inspektime në Gjilan, Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë.

Inspektorati ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të legjislacionit.

MINT-i u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i raportojnë produktet e dyshimta dhe parregullsitë përmes platformës Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000.

Të Ngjashme