Mijëra përdorues në mbarë botën kanë raportuar probleme me Instagramin, Facebook-un dhe Messenger-in, pasi platformat e kompanisë Metaduket se janë përballur me një ndërprerje të gjerë të shërbimeve të premten.
Sipas faqes Downdetector, numri i raportimeve për probleme në Instagram u rrit ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër, me përdorues që thanë se ishin çkyçur nga llogaritë e tyre, nuk mund të hapnin aplikacionin ose të qaseshin në profilet personale.
Ankesa të ngjashme u raportuan edhe për Facebook-un dhe Messenger-in. Shumë përdorues në rrjetin social X deklaruan se ishin nxjerrë jashtë llogarive të tyre dhe po përballeshin me mesazhe gabimi gjatë përpjekjeve për t’u rikyçur.
Disa prej tyre raportuan se problemet po ndodhnin njëkohësisht në të tri platformat, duke ngritur dyshime për një ndërprerje me përmasa globale.
Deri më tani, Meta nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shkakun e problemit.
